Rreth 30 subjekte politike mbrëmë u bashkuan në thirrje për qytetarët, për rezultat pozitiv në referendum dhe për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, përmes pranimit të disa parimeve të përbashkëta. Partitë politike u pajtuan që t’i ftojnë qytetarët të dalin të votojnë “për” në referendumin e ardhshëm që do të mbahet me 30 shtator, thuhet në kumtesën e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë.
Siç theksohet në kumtesë, Republika e Maqedonisë qëllimet strategjike mund t’i arrijë vetëm përmes anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se qytetarët e shtetit do të përfitojnë dobi nga integrimi euroatlantik i vendit.
“Partitë politike që u mblodhën mbrëmë për parimet themelore, janë të pajtimit se Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë i hap dyert e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Partitë konsiderojnë se çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë me të drejtë vote duhet të ndërmarrë përgjegjësi, të dalë dhe të votojë në mënyrë afirmative në referendumin e ardhshëm. Siç është kumtuar në takim, partitë politike kanë të drejtë të mbajnë komunikime publike në lidhje me referendumin që mund të jenë inviduale dhe të pavarura ose në kuadër të koalicioneve dhe fushatave tjera”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve në takim, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se me zgjidhjen e çështjeve bilaterale me Greqinë, nuk ka më çështje të hapura me fqinjët dhe kjo gjë e hap të ardhmen për qytetarët e shtetit tonë për anëtarësim në NATO dhe BE.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ende nuk ka qëndrim të qartë për referendumin se a do të bëjë thirrje për përkrahjen e tij apo bojkot, ashtu siç është paralajmëruar. Deputetët e kësaj partie dje kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët, por akoma nuk kanë dhënë qëndrim të prerë. Kuvendi si organizator i referendumit pret përgjigjen e VMRO-DPMNE se a do të zhvillojë fushatë për referendumin.