350 mjete të mbetura në Kakavijë, kalojnë sonte

Autoritetet greke kanë njoftuar zyrtarisht se do të lejojnë gjatë natës së sontme kalimin e të gjithë qytetarëve që presin aktualisht në doganën e Kakavijës.

Marketing

Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila përmes një publikimi në Facebook shkruan:

“Pas komunikimit me autoritetet greke dhe gatishmerisë së tyre për të dërguar ekipe mjekësore shtesë, pika e kalimit kufitar në Kakavijë do të qëndrojë e hapur përtej orarit të punës për të bërë të mundur përfundimin e procedurave për 1000 udhëtarët e fundit. Duke nisur nga nesër në mengjes, kalimi në Kakavijë do te kryhet përmes regjimit të ri të masave me kuotat e reja, aplikimin dhe testin negativ të Covid 19”.

Sipas policisë, janë rreth 350 mjete që presin në radhë dhe sipas përllogaritjeve nga autoritetet, përpunimi i të dhënave të tyre do të përfundojë për një afat 2 apo 3 orë.

Mësohet se vetë Zv.drejtori i Policisë së Janinës ka qenë i pranishëm në Kakavijë, ku duket se është dakordësuar për të kryer gjatë natës së sotme përpunimin e të gjitha mjeteve që janë në radhë.

Ndërkohë, duke nisur nga dita e hënë 17 Gusht, të gjithë shtetasit që do të hyjnë në Greqi duhet të kenë me vete rezultatin negativ të testimit për Covid dhe do t’i nënshtrohen një karantine 7 ditore, sapo të kthehen në Greqi.

Nga 17 gushti në pikën e Kakavijës do të hyjnë vetëm 750 shtetas, ndërsa në atë në Kapshticës do të kalojnë vetëm 300 qytetarë në ditë.