Mbrëmë në mesnatë ka skaduar afati për dorëzimin e kërkesave për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë. Deri dje kishin mbërritur në Gjykatën Penale mbi 60 kërkesa.
Siç bëhet e ditur mes atyre që kanë dorëzuar kërkesë janë edhe sulmuesit e Kryetarit dhe deputetit të ASH, Ziadin Sela, të cilët janë shtatë huliganët të dënuar me gjithsej 81,5 vjet burg. Ata u dënuan për tentimin për vrasjen e deputetit Ziadin Sela, që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar, kur turma maqedonase hyri me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë.
Kire Georgievski u dënua me 13 vjet burg, Oliver Oshavkovski me 10.5, Nikollçe Dimitrievski me 10.5, Aleksandar Janeveski-Toshta me 13 vjet, Andrej Micov me 10.5, Nikolla Vojminovski me 13.5 dhe Kosta Dellov me 10.5 vjet burg.
Megjithatë nuk dihet se a do të amnistohet ky grup. Gjykata dhe Prokuroria do të ketë afat prej pesë ditëve për të vendosur.
Sipas ligjit të miratuar javën e kaluar, amnistia nuk do t’i përfshijë organizatorët, personat të cilët kanë kryer dhunë fizike, të cilët kanë mbajtur armë, si dhe personat zyrtarë të cilët i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.