Në verë, të gjithë kërkojnë që të arrijnë ngjyrën perfekte çokollatë. Për të arritur nuancën që dëshironi, është e nevojshme që të ndiqni disa këshilla.
Aplikoni në kohë kremin e diellit
Është koha për të hedhur poshtë mitin se më pak mbrojtje është e barabartë me nxirjen më të shpejtë. Qëndrimi në diell për orë të gjata pa krem kundër diellit mund të ketë vetëm një rezultat: djegie. Përdorimi i kremit kundër diellit bën që nxirja të zgjasë më gjatë pasi shmang efektet e dëmshme të rrezatimit UV.
Duhet ta aplikoni kremin të paktën 30 minuta para ekspozimit në diell. Gjithashtu është e nevojshme të rinovoni kremin kundër diellit çdo dy ose tre orë. Sidomos femrat me lëkurë të hapur duhet të shmangin qëndrimin nën diell, gjatë orëve më të nxehta, pra nga 10 e mëngjesit deri në 4 pasdite.
Eksfolimi
Eksfolimi i lëkurës konsiderohet shumë i rëndësishëm për një nxirje uniforme që zgjat, në mënyrë që të largohen qelizat e vdekura nga sipërfaqja e saj dhe të shmanget çdo çngjyrosje.
Uniformiteti
Për një efekt sa më të njëtrajtshëm, dielli duhet të “prekë” trupin nga të dyja anët në të njëjtën kohë. Idealisht duhet të ndërroni anën çdo 15-30 minuta për të shmangur ndonjë djegie dhe për të marrë pamjen e nxirë që po ëndërroni.
Hidratim
Hidratimi është çelësi për një nxirje mbresëlënëse dhe afatgjatë. Është shumë e rëndësishme të pini shumë ujë gjatë ditës, sidomos kur ekspozoheni në diell, por edhe të hidratoni lëkurën me një krem, i cili do të parandalojë rrjepjen e lëkurës.
Ushqimi i duhur
Ushqimet e pasura me beta-karoten, si specat, pjepri, karotat dhe perimet me gjethe jeshile, janë shtesa më ideale për dietën e përditshme, pasi luftojnë radikalet e lira dhe stresin oksidativ, duke reduktuar kështu efektet negative të rrezeve UV.