Përderisa pushteti dhe opozita po bëjnë ende lojërat e durimit, nëse duhet votuar fillimisht amendamentet kushtetuese, pastaj zgjedhjet apo anasjelltas, afatet dhe datat thonë se zgjedhjet parlamentare mund të zhvillohen me zgjedhjet presidenciale më 5 Maj, ashtu siç sqaroi edhe kryetari i Kuvendit Talat Jaferi në një dalje televizive.
Ajo që dihet është se zgjedhjet presidenciale shpallen në 60 ditët e fundit nga përfundimi i mandatit të kreut të shtetit. Pendarovskit i skadon mandati më 12 maj, që do të thotë se zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen më 5 maj. Zgjedhjet parlamentare ndërkaq, sipas procedurës së regullt duhet të shpallen 90 ditë para përfundimit të mandatit të qeverisë aktuale, që do të thotë se sipas afateve kushtetuese ato duhet të mbahen jo më vonë se më 4 gusht, ditë kur është mbajtur seanca e parë konstituive në vitin 2020 , por nëse arrrihet marrëveshje politike zgjedhjet parlamentare mund të mbahen më 5 maj të vitit të ardhshëm me ato presidenciale.
Ajo që mbetet e sigurt është se zgjedhjet presidenciale do të ruajnë mandatin e rregullt, ndërsa ka ende përllogaritje rreth zgjedhjeve parlamentare,ku disa parti politike kushtëzojnë me ndryshimet kushtetuese.
Nga aspekti ekonomik, data 5 maj i vitit 2024 është data më e favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta presidenciale e bashkë me to edhe parlamentare për të shmangur dy cikle zgjedhore dhe për të kursyer para. Përndryshe, do të duhet të shpenzohen së paku 12 milionë euro në bazë të mjeteve që shteti ka shpenzuar deri më tani për zgjedhje – pra të paktën 6 milionë për cikël zgjedhor, për reklamim të partive politike, shtypje fletëvotimi, tarifa për anëtarët. të këshillave zgjedhore, shpalljeve publike etj.
E përderisa opozita vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, kryeministri Dimitar Kovaçevski një ditë më parë tha se ato do të mbahen në mandatin e rregullt nëse opozita do t’i pranojë të votojë ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë, çështja e njësive zgjedhore për të cilën as partitë në koalicionin qeveritar nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët , nga ana tjetër opozita shqiptare Alternativa, Besa dhe Lëvizja Demokratike tashmë kërkojnë anëtarë nga radhët e tyre në KSHZ.
Këtë çështje e kanë ngritur së fundi në mënyrë procedurale dhe në seancë në shtëpinë ligjvënëse por kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi refuzoi ta vë në rend dite çështjen me arsyetimin se deputetët nuk i kanë dorëzuar materialet e tyre, dhe për këtë çështje siç tha kryeparlamentari, përgjegjësi ka KSHZ.