Një video e ish-kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sokol Halili, po u prish punë të akuzuarve nga Specialja në Hagë.
Në këtë video, Halili pretendon se do t’i jap 50 mijë euro për ata që i sjellin kinse emrat e “dëshmitarëve tradhtarë”, “spiunave e veteranëve të rrejshëm”, shkruan lajmi.net.
Një video e tillë dhe një raportim nga një media lokale nga Skenderaj ka mjaftuar që të përdoret nga Prokuroria e Hagës si argument se krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, saktësisht Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, duhet t’u vazhdohet paraburgimi.
Kjo pasi që sipas Speciales, ekziston rreziku i ndërhyrjes në proces dhe intimidimit të dëshmitarëve.
“Shtrirja e plotë e këtij problemi është paraqitur në një artikull edhe më të fundit të lajmeve që pretendon se një milioner nga Skenderaj po ofron një shpërblim prej 50,000 € për çdo person që i sjell atij informacion të saktë për ‘dëshmitarët tradhtarë’, ‘spiunët’ dhe ‘veteranët e rremë’ të cilët po dëshmojnë kundër ‘çlirimtarëve’ në Hagë dhe ofrojnë një video të individit që bën këtë ofertë dhe jep informacionin e tij të kontaktit”, thotë Prokuroria e Speciales, teksa e ofron edhe linkun e raportimit, që është një ueb nga Skenderaj me emrin “skenderajpress”.