“Ligji për Prokurorinë”, Pendarovski: Pushteti dhe opozita janë afër marrëveshjes

Presidenti, Stevo Pendarovski, beson se pushteti dhe opozita janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për Ligjin e Prokurorisë Publike.

Marketing

Kanë mbetur edhe dy-tre pika për të cilat liderët e dy partive më të mëdha në vend kërkojnë që të gjejnë gjuhë të përbashkët, thotë presidenti, i cili vlerëson se është shumë e rëndësishme të ketë vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi.

“Sa e di unë, praktikisht çështja në lidhje me këtë ligj është pastruar. Eventualisht kanë edhe 2-3 çështje kontestuese për të cilat partia kryesore opozitare dhe partia kryesore në pushtet kanë mendime të ndryshme, por mendoj se janë shumë afër marrëveshjes. Megjithatë, nëse nuk ka vullnet që edhe kjo të dakordohet, është e kotë t’i mbledh unë, ose ju, ose kushdo qoftë”,- u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.

Pendravoski megjithatë potencoi se mossjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike nuk do të jetë pengesë për marrjen e datës për fillim të bisedimeve në tetor me BE-në.

“Nëse nuk e miratojmë këtë ligj, nuk do të jetë problem që të marrim datë për negociata, sepse me vendimin që lëndët të transferohen nga PSP-ja në Prokurorinë e Rregullt, ai problem, në këtë periudhë, është zgjidhur”,- theksoi presidenti, Stevo Pendarovoski.

Kreu i shtetit vlerëson se në interes të të gjithëve është që hetimet për çështjet e hapura të PSP-së të udhëhiqen në kuadër të Prokurorisë ekzistuese.

Sa i përket rastit “Zhvatja”, presidenti Pendarovski ka mohuar çdo relacion me personat që përmenden, ndërsa vlerëson se secili që përfshihet në këtë rast duhet të japë deklaratë edhe nëse nuk është thirrur nga ana e organeve kompetente.