Familjarë të afërm të politikanëve, prokurorëve dhe gjykatësve aktual dhe të atyre të mëparshëm, janë në mesin e 57 kandidatëve që përfunduan Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik. Kjo shihet në listën e shpallur publike të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë “Pavel Shatev”. Sa i përket kandidatëve dhe reagimeve në opinion, kryetari i Gjykatës penale, Ivan Xholev, në një brifing me gazetarët, nuk deshi të komentojë për atë se si familjarët e politikanëve do të kontribuojnë për një sistem gjyqësor të pavarur. Thekson se Gjykata penale ka nevojë për më së paku 5 gjykatës të ri për të cilët shpreson se do të jenë me integritet dhe profesional.
“Unë sinqerisht nuk kam kompetenca të bëjë analizë rreth kandidatëve dhe rreth asaj se kush do të zgjidhet për gjykatës dhe prokurorë të ri. Nuk dua të komentoj atë se fëmijët e kujt janë, por shpresoj të jenë një kuadër profesional.”, tha kryetari i Gjykatës penale, Ivan Xholev.
Edhe përkundër asaj se rezultatet e anketave tregojnë për besim mjaft të ulët në sistemin e jurisprudencës, Xholev është i mendimit se besimi në Gjykatën penale po kthehet. Theksoi se vitin e kaluar kanë shënuar numër historik të aktgjykimeve të sjella, edhe pse kanë pasur mungesë të gjykatësve.
“Mendoj se na duhen një numër më i madh i gjykatësve. U zvogëlua numri i gjykatësve, ndërsa u rrit numri i lëndëve, teksa në paralajmërim është pensionimi i disa gjykatësve. Kjo gjykatë, në vitin 2022 ka zgjedhur numër rekord të lëndëve, në 50 vitet e fundit, gjegjësisht 107 mijë lëndë.”, tha Xholev.
Pas analizave dhe përcaktimit të Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve do të dihet se pjesë e cilës gjykatë apo prokurori do të jenë kandidatët e rinj.