Republika e Maqedonisë e përfaqësuar nga Ministria e financave dhe Banka europiane për zhvillim sot kanë nënshkruar marrëveshje për grant prej 68.6 milion euro për ndërtimin e pjesës së dytë të herkurudhës në koridorin e VIII-të nga Belkovci deri në Kriva Pallankë. “Ky është grant investimi më i madh që i është ndarë Maqedonisë për projektet infrastrukturore”, theksojnë kështu nga Ministria e financave.
Ndërkohë që në këtë ceremoni nënshkrimi të pranishëm ishin Ministri i financave Dragan Tevdovski, zv.ministrja Shiret Elezi, ministri i transportit dhe lidhjeve Goran Sugarevski, euroambasadori Zhbogar dhe drejtoresha e EBOR Anka Joanesku.
“Me hyrjen e këtyre mjeteve për pjesën nga Belkovski deri në Kriva Pallankë kemi shumë përfitime, me nënshkrimin e marrëveshjes për grant do të mundësojmë uljen e borxhit të ndarë nga EBOR për fazën e dytë që është në vlerë prej 145 milion euro. Kështu lihet një hapësirë më e madhe fiskale dhe një menaxhim më i mirë i borxhit publik, dhe kur të efektizohet granti ai do të jetë një shtytës më i madh për ekonominë e Maqedonisë”, kështu ka vlerësuar zv.ministrja Elezi.
Projekti për ndërtimin e hekurudhës në Koridorin VIII-të ka për qëllim lidhjen mes Detit të zi me Detin Adriatik, e me vendosjen e këtij koridori do të zhvillohet edhe më shumë shkëmbimi tregëtarë dhe përmirësimi i konkurencës, zhvillimi i ekonomisë si dhe komunikimi i vendeve europiane.
“Lidhja më e përmirësuar është në fazën kalimtare ndaj një të ardhme më të mirë të përbashkët, pas mbarimit të projektit banorët e këtyre dy vendeve përfshirë Shkupin dhe Sofjen do të mund të kalojnë këtë largësi edhe me tren. Transporti në këtë drejtim do të jetë më i shpejtë dhe më i lirë. Kjo do të sjellë një lidhje më të madhe mes dy vendeve që janë përgjatë koridorit të VIII-të, vendeve aktuale dhe atyre të ardhëshme të BE-së”, vlerësoi mes tjerave euroambasadori Zhbogar.
Deri më tani BE ka ndarë 220 milion euro Maqedonisë për sektorin e transportit.
“Me realizimin e këtij projekti do të forcohet edhe më shumë lidhja regjionale”, tha kështu Anka Joanseku, drejtoresha e zyrës së EBOR.
Ky grant do të jetë i shfrytëzueshëm për ko-financim në ndërtimin e rreth 34 kilometër hekurudhë nga Belakovci deri në Kriva Pallankë, faza e dytë e projektit për Koridorin e VIII-të i cili pasiqë të finalizohet do jetë pjesë e rrjetit të transportit trans Europa duke lidhur kështu Maqedoninë me Shqipërinë në perendim dhe Bullgarinë në lindje.