8 maji, data më e mundshme për zgjedhjet e reja në vend

8 maji është data më e sigurt për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe raundi i dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kjo datë tashmë është përmendur nga disa nga partnerët e koalicionit të LSDM-së ndërsa kryeministri Kovaçevski e vërtetoi sot muajin, por paralajmëroi mbledhje të re të partive parlamentare për t’i diskutuar hollësitë. Sipas tij, deri atëherë pritet konsensus për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në pajtim me rekomandimet e OSBE-së, sepse partitë opozitare, siç thotë ai, i janë bashkuar procesit.

Marketing

“Jam duke planifikuar që në periudhën e ardhshme pasi dhjetori ofron mundësi të tillë që të mbaj mbledhje në Kuvend, në të cilën do të mund t’i përcaktojmë të gjitha hollësitë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri ritheksoi se zgjidhja ligjore për formimin e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve është ende në fuqi. BDI-ja pritet të propozojë kandidat për kryeministër, i cili do të jetë në linjë me partnerët e koalicionit. Në ndërkohë, VMRO-DPMNE ende nuk është përgjigjur nëse partia opozitare do t’i propozojë ministrat e saj teknik ndonëse më herët kanë shprehur gatishmërinë për shfuqizimin e të ashtuquajturës Qeveri teknike. Sa i përket mundësive për koalicione parazgjedhore, Kovaçevski sot as nuk i ka konfirmuar as refuzuar listat e përbashkëta për deputetë me BDI-në.

“Kjo është diçka që është vendim i partive politike dhe që i nënshtrohet marrëveshjeve të koalicionit, kështu që, për momentin nuk mund të flasim me siguri për këtë”, tha Kovaçevski.

Paraprakisht kryeparlamentari Talat Xhaferi u ka dhënë palëve afat deri në fund të dhjetorit të merren vesh për një datë, në të kundërtën do t’i shpall zgjedhjet sa më shpejt të jetë e mundur. Xhaferi tashmë ka paralajmëruar se 8 maji është datë kritike, sepse presidenti i ri duhet të inaugurohet deri më datën 12 të muajit të njëjtë. 8 maji është ditë pune, e mërkurë dhe pason menjëherë pas festimeve të Pashkëve. /Alsat.mk