8 vite nga ngjarja e 21 janarit…

Në 8 vjetorin e ngjarjes së 21 janarit, familjarët e Ziver Veizit vazhdojnë të apelojnë për drejtësi. Ata thonë se edhe sot, 8 vite më pas, drejtësia nuk është vënë në vend dhe ende nuk është bërë asgjë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa hetimet sipas tyre, janë mbyllur duke e lënë ngjarjen në harresë. Për vëllanë dhe motrën e Ziverit, reforma në drejtësi nuk do të mund të quhet e tillë nëse nuk zbardh ngjarjen e 21 janarit dhe vënien para drejtësisë të vrasësve të 4 personave.

“Po bëhen 8 vite nga vrasja dhe nuk ka asnjë ndryshim nga drejtësia, pasi fajtorët nuk janë dënuar. Drejtësia nuk ka vajtur në vend, por kemi shpresë SPAK dhe Byroja e Hetimit. Dënimi i autorëve do na lehtësonte humbjen e vëllait tonë. Moralisht na lehtëson shpallja dëshmor e vëllait. Si çdo vit do të shkojmë tek vendi ku është vrarë për ta përkujtuar”- thotë motra e Ziver Veizit, Trendafile Mahmuti.
Dhënia e statusit të dëshmorit është një informacion që familja e ka marrë vetëm nëpërmjet medias, që për familjen ka vlerë morale, por nuk është zgjidhje për drejtësinë e vrasjes.

Marketing

“Çdo vit presim që dikush te dënohet për vrasjen e vëllait. Me aq sa dimë ne për kete çështje s’po behet asnjë hetim. Edhe nëse i shpallin dëshmor, ne serish do kërkojmë vrasësit para ligjit.”- thotë i vëllai i Ziverit, Caush Veizi.

Familjarë të Ziver Veizit dhe 3 të vrarëve të tjerë të ngjarjes së 21 janarit do të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet ditën e hënë në kryeministri, ndërsa në fshatin e Ziverit, në Zenelaj, do të mbahet ceremonia e përvitshme përkujtimore.