Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një raport drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit bën me dije se rreth 80 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në territoret e shteteve anëtare evropiane të NATO-s.
Në këtë numër personeli të Forcave të Armatosura amerikane përfshihen dhe ato të vendosura për të siguruar aleatët e SHBA-së dhe për të penguar kërcënimin dhe agresionin e mëtejshëm rus.
“Përafërsisht 80,000 personel të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara janë caktuar ose dislokuar në vendet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Evropë, duke përfshirë ato të vendosura për të siguruar aleatët tanë dhe për të penguar agresionin e mëtejshëm rus.”, thuhet në raport.
Biden ka informuar gjithashtu Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin lidhur me praninë e forcave ushtarake amerikane të vendosura në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë me forca në Forcën e Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar armiqësitë e ripërtërira në Kosovë. Përafërsisht 403 personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara janë në mesin e rreth 4,500 personel të KFOR-it.”, thuhet në letrën e presidentit në largim të SHBA-ve.
Raporti, i hartuar nga administrata aktuale qeverisëse në SHBA ku përfshihen edhe informacione të tjera për vendosjen e forcave ushtarake në vende të ndryshme të botës, vjen si pjesë e përpjekjeve të presidentit Biden për të mbajtur Kongresin të informuar rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të pajisura për luftim.