Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka pritur në Shkup, homologun e tij nga Mali i Zi, Momo Koprivica. Siç ka shkruar Fetai, takimi ka qenë frytdhënës dhe kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të të dy vendeve.
“Gjatë takimit, diskutuam me përkushtim sfidat e luftës kundër korrupsionit dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për të shkëmbyer informacion rreth veprimtarive të paligjshme dhe për të ndarë përvojat tona. Z. Koprivica theksoi vlerën që Mali i Zi i jep Maqedonisë së Veriut si partner të rëndësishëm dhe mik të besueshëm në rrugën drejt integrimit në BE, ndërsa ne theksuam angazhimin tonë për bashkëpunimin rajonal, për të përmirësuar shtetin e së drejtës dhe për të zbatuar reformat evropiane”, ka shkruar Fetai.
Zëvendëskryeministri Fetai, ka shtuar se takimi përfundoi me zotimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe për të intensifikuar përpjekjet drejt reformave që do të kontribuojnë në anëtarësimin e vendeve tona në BE.
“Ky angazhim i përbashkët është një hap pozitiv drejt një rajoni më të bashkuar dhe progresiv, duke ndërtuar një të ardhme evropiane për qytetarët tanë”, ka nënvizuar Fetai.
https://www.facebook.com/share/1ALoL7CfZt/