Maturantët e Maqedonisë këtë vit do t’ju nënshtrohen tre lloj verifikimesh

Në kuadër të provimeve përfundimtare të shkollimit të mesëm, maturantët do t’ju nënshtrohen edhe këtë vit tre lloj verifikimesh, ndërsa do të marrin katër nota – edhe atë tre nga provimet eksterne dhe një nga detyra projektuese

Marketing

Janë caktuar datat për mbajtjen e provimeve të Maturës shtetërore me vlerësim ekstren ose notim të jashtëm, që do të nisin nga e shtuna e kësaj jave, megjithëse shkollat ka kohë që janë në vlugun e organizimit të provimeve përfundimtare, shkruan gazeta KOHA.

Varësisht terminëve të caktuara nga vetë shkollat, në periudhën nga 14 marsi deri më 16 maj, nxënësit e viteve të katërta apo të treta të shkollave të mesme kishin mundësi të prezantojnë detyrat projektuese të lëndëve që ata kishin zgjedhur paraprakisht.

Ndërkaq, provimi intern i lëndës në fjalë e që gjithashtu është pjesë e maturës shtetërore do të organizohet në ndonjërën prej datave që kap periudhën nga 15 deri 29 qershori. Për këtë datë do të vendosë Komisioni shkollor i maturës shtetërore, ndërsa notat përkatëse njëjtë sikurse edhe notat e detyrës projektuese nxënësit do ti marrin nga vetë profesorët e lëndës në të cilën janë përcaktuar paraprakisht.

Ndryshon puna me notat e tre provimeve tjera të Maturës shtetërore, të cilat do të caktohen nga komisione jashtë shkollës, respektivisht nga Qendra Shtetërore e Provimeve, ku janë formuar edhe ekipet përkatëse. Pikërisht për shkak të vlerësimit jashtë shkollës (notimit ekstern), këto provime llogariten edhe më të vështirit. Të njëjtët janë gjithashtu edhe provime me më tepër peshë, pasi notat në fjalë do të ndikojnë në mesataren e përgjithshme të notave të arsimit të mesëm. Nga kjo mesatare do të varet më tej edhe renditja në listën e kandidatëve për regjistrim në fakultet, ashtu sikurse edhe lëndët që maturantët do të zgjedhin të testojnë njohuritë e tyre në kuadër të provimeve ekstrne të maturës shtetërore.

Pra, në kuadër të provimeve përfundimtare të shkollimit të mesëm, edhe këtë vit maturantët do t’ju nënshtrohen tre lloj verifikimesh, ndërsa do të marrin katër nota edhe atë tre nga provimet ekstren dhe një nga detyra projektuese. Mirëpo do të kenë edhe provime interne në lëndët e caktuara paraprakisht dhe për të cilat nuk do të shënohen nota në dëftesa. Të gjitha provimet do të mbahen me laps dhe letër, pasi forma elektronike është provuar me testimet eksterne si e pasigurt dhe me shumë probleme. Në listën e provimeve eksterne të Maturës shtetërore është në mënyrë të patjetërsueshme lënda e gjuhës amtare apo gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, si dhe dy lëndë të tjera zgjedhore, përcjell KOHA.

Për provimin e dytë, maturantët duhet të zgjedhin mes matematikës dhe njërës prej gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe rusisht), të cilën nxënësit e kanë mësuar gjatë katër viteve të shkollimit. Për provimin e tretë do të duhet të zgjedhin mes kimisë, fizikës, biologjisë, historisë, filozofisë, estetikës dhe biznesit. Dhënia e këtyre provimeve është caktuar për datën 11 qershor. Provimet e gjuhës amtare do të mbahen më 9 qershor, përderisa provimet e gjuhës së huaj më 2 qershor dhe të matematikës më 13 qershor.

Ky është viti i 12-të që në Maqedoni organizohen provimet e Maturës shtetërore të cilat kanë zëvendësuar dhënien e provimeve pranuese nëpër fakultete e, që në bazë të përvojës së shumë shteteve evropiane konsiderohen edhe tek ne si provime përfundimtare të cilat certifikojnë mbylljen e ciklit të arsimit të mesëm, i obligueshëm për të gjithë nga viti 2007.

Tani për tani Matura shtetërore konsiderohet si një prej proceseve më komplekse dhe më voluminoze, kur përveç 17 mijë maturantëve të këtij viti, do të përfshihen mbi 2 mijë profesorë testatorë, rreth 400 vlerësues, koordinatorë lokal e anëtarë të komisioneve të ankesave. Rezultat e provimeve ekserne do të kumtohen jo më vonë se 30 ditë nga mbajtja e provimeve./koha.mk/

Marketing