Një studim i ri ka treguar se meshkujt që veshin ngjyrë të kuqe rezultojnë të jenë të nevrikosur dhe agresivë.
Kërkuesit thonë se zbulimet mund të kenë paralele në natyrë dhe mund të ofrojnë të dhëna nëse është e këshillueshme të veshësh ngjyrë të kuqe në situata të caktuara sociale.
Një bluzë me ngjyrën e gabuar mund të ketë pasoja fatale për mbarëvajtjen e një takimi, thotë një studim i ri. Sipas kërkuesve, meshkujt që veshin nuancat e të kuqes perceptohen si agresivë. Ja përse duhet të tregoheni të kujdesshëm kur zgjidhni veshjen.
Kur 50 meshkuj dhe 50 femra dolën vullnetarë për të marrë pjesë në hulumtim, atyre iu treguan imazhe të burrave të veshur në bluza me ngjyra të ndryshme. Më pas, ata vlerësuan ata që mbanin veshje të kuqe si më agresivë dhe më të nevrikosur sesa ata që ishin veshur kaltër ose gri.
Megjithatë, ndërsa vullnetarët meshkuj prireshin të konsideronin burrat me të kuqe si “dominantë”, vullnetaret femra nuk mendonin kështu.
Drejtuesi i studimit, Rob Barton, profesor i Antropologjisë Evolucionare në Universitetin Durham, tha se e kuqja shpesh ofron sinjale agresioni te kafshët dhe tendenca te meshkujt është të skuqen në fytyrë kur janë të nevrikosur, gjë që është trashëguar nga paraardhësit tanë si shenjë paralajmërimi.
Ai tha se në disa specie, e kuqja mund të shfaqet teksa meshkujt në konkurrim përpiqen të dominojnë njëri-tjetrin për të fituar të drejtën e çiftëzimit me femrat.
Studentja e doktoraturës, Diana Uiedeman, që kreu eksperimentet, tha: “Ne e dimë se ngjyra e kuqe ka një efekt në trurin njerëzor. Kjo është e bazuar në kulturën tonë, për shembull nga ideja e të veshurit një kollare të kuqe, e njohur si kollarja e fuqisë për biznes”.
“Përfundimet e kërkimit tonë thonë se njerëzit duhet të mendohen mirë kur veshin të kuqe në situata sociale dhe ndoshta në takime të rëndësishme, si në intervistat e punës”, shtoi kërkuesi.
“Perceptimi si agresiv apo dominant mund të jetë një avantazh në rrethana të caktuara, por edhe disavantazh në rrethana të tjera, për shembull në punën në grup dhe atje ku besimi është i rëndësishëm.”
Hulumtuesit e Universitetit Durham më herët kanë treguar se veshja me të kuqe mund të ketë pasoja në sport, duke nxitur agresionin dhe konkurrencën brenda skuadrave dhe duke kërcënuar kundërshtarët.
Profesor Barton dhe skuadra e tij aktualisht po flasin me organizues të sporteve luftuese rreth mundësisë për të vendosur rregulla të reja mbi konkurruesit që veshin të kuqe, për të shmangur përdorimin e padrejtë të ngjyrës për një avantazh të njëanshëm.
Megjithatë, studimi i publikuar në revistën Letrat e Biologjisë, besohet se është i pari për efektet e ngjyrës në perceptimet sociale të dominancës dhe agresionit në rastet neutrale.
Për të realizuar me sukses kërkimin, imazhet e burrave u manipuluan dixhitalisht që ata të shfaqeshin sikur kishin veshur bluza me ngjyra të ndryshme. Vullnetarët më pas i vlerësuan nga shkalla një në shtatë për agresion dhe dominancë.
Vullnetarëve iu kërkua të vendosin për gjendjen emocionale të burrit në çdo imazh. Ata kishin prirje të zgjidhnin “i nevrikosur” për ata që mbanin veshur të kuqe, ndërsa mund të zgjidhnin edhe mundësi të tjera si i lumtur, i frikësuar dhe neutral.
Profesor Barton tha: “Të marra së bashku, zbulimet tona sugjerojnë një lidhje të pastër mes ngjyrës së kuqe dhe perceptimit të zemërimit, me gjasë i lidhur me rolin e skuqjes së fytyrës si një shenjë natyrore e zemërimit”.
Kërkimi i Durham studioi vetëm imazhet e burrave për të kufizuar numrin e variablave – rezultatet mund të kishin qenë më të vështira për t’u analizuar nëse do të prezantoheshin vullnetarë nga të dyja sekset.