Mbrëmë vonë Kuvendi votoi emrat e katër ministrave të rinj në Qeverinë e Zoran Zaevit. Katër ministrat e rinjë vijnë nga radhët e Lëvizjes Besa dhe Partisë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, por edhe ka shkëmbime resoresh ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së.
Arbër Ademi nga radhët e BDI-së do të jetë ministri i ri i Arsimit, në vend të Renata Deskovkës së LSDM-së e cila do të bëhet ministre e Drejtësisë, në vend të Bylent Salijit të BDI-së. Në kolltukun e ministrit të Kulturës më nuk do të jetë Robert Allagjozovski, pasi në vendin e tij do të ulet Asaf Ademi nga Lëvizja Besa e Gashit. Ndërsa ministria e fundit në kuadër të këtij rikonstruimi i takoi Bardhyl Dautit të PDSH-së i cili do të jetë ministër pa resor për investime të huaja.
Ministri i ri i Arsimit Arbër Ademi u votua me 67 vota pro dhe 25 kundër. Për Renata Deskoskan e Ministrisë së Drejtësisë, pro votuan 67 deputetë ndërsa 23 kundër. Asaf Ademit, ministrit të ri të kulturës i dhanë votë pro 66 deputetë, ndërsa kundër emërimit të tij ishin 23 deputetë. Ndërsa Bardhyl Dauti i PDSH-së u zgjodh ministër pa resor me 65 vota pro dhe 26 kundër, dhe vetëm një i përmbajtur.
Në biografinë e ministres së re të Arsimit shkruan se ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin juridik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa ka doktoruar në Fakultetin juridik në Lubjanë në vitin 2002. Deskoska prej 1 qershorit të vitit 2017 deri dje ka qenë ministre e Arsimit dhe Shkencës. Prej vitit 1995 deri në vitin 1998 ka qenë demonstruese në Fakultetin Juridik në Shkup, ku në vitin 1999 punësohet si asistente, ndërsa në vitin 2012 është punësuar si profesoreshë e rregullt për të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik. Ka marrë postin e deputetes në zgjedhjet e vitin 2014 dhe 2016 dhe deri në 2016-tën ishte nënkryetare e Kuvendit. Deskovska nga shtatori i 2015-tës është edhe shefe e delegacionit të Republikës së Maqedonisë në Kuvendin parlamentar të OSBE-së.
RENATA DESKOVSKA, MINISTRE E DREJTËSISË
Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin juridik-Shkup
Ka doktoruar në Fakultetin juridik në Lubjanë
1 qershor deri më sot, ministre e Arsimit dhe Shkencës
1995 deri në vitin 1998 demonstruese në Fakultetin Juridik
Deputete në zgjedhjet 2014-2016
Shefe e delegacionit të Maqedonisë në Parlamentin e OSBE-së
Ministri i ri i Arsimit Arbër Ademi ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, ndërsa ka doktoruar në Universitetin e Tiranës.
Ademi deri më tani ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa nga viti 2016 e deri në vitin 2017 ishte zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane. Është i angazhuar edhe si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.
Ka qenë anëtar i disa grupeve punuese për hartimin e ligjeve, ndërsa ka punuar edhe si asistent në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës dhe si këshilltar i ministrit të Punës dhe Politikës Sociale. Në biografinë e tij shkruan se flet gjuhën angleze dhe ka dhënë provimin e jurisprudencës dhe noterisë.
ARBËR ADEMI, MINISTËR I ARSIMIT DHE SHKENCËS
Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës
Ka doktoruar në Universitetin e Tiranës
Zëvendës ministër i arsimit në Qeverinë Zaev
2016-2017 zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane
Profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës
Këshilltar i ministrit të Punës dhe Politikës Sociale
Në vitin 2002, Asaf Ademi ka diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Në biografinë e tij theksohet se është nga fundi edhe i magjistraturës në ndërtimtari.
Ministri i ri i Kulturës Asaf Ademi që nga viti 2013 e deri më tani, ka drejtuar zyrën e kompanisë ndërkombëtare INSCALE Global me përfaqësi në Shkup e cila merret me lëminë e teknologjisë informatike dhe komunikimit. Nga viti 2009 deri në vitin 2013 ai ka qenë ambasador në Danimarkë ndërsa para se të emërohej ambasador ka punuar në pozita të ndryshme në Komunën e Gostivarit, si udhëheqës i sektorit për urbanizëm dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, udhëheqës i repartit për zhvillim ekonomik lokal dhe konsultues në repartin për implementim të projekteve.
Ministri i ri i Kulturës, siç theksohet në biografinë e tij, përveç gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase e flet edhe gjuhën angleze, turke, serbe dhe gjuhën kroate, përderisa njohuri bazike ka edhe nga gjuha daneze.
ASAF ADEMI, MINISTËR I KULTURËS
Në vitin 2002 ka diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë
Nga 2013 e deri më tani, drejtor i zyrës së INSCALE Global
2009 – 2013 ka qenë ambasador në Danimarkë
I punësuar në Komunën e Gostivarit- si
udhëheqës i sektorit për urbanizëm dhe mbrojtje të mjedisit jetësor,
udhëheqës i repartit për zhvillim ekonomik lokal,
Këshilltar në repartin për implementim të projekteve
Bardhyl Dauti ka diplomuar në Fakultetin e ekonomisë dhe biznesit në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës. Ka magjistruar në Universitetin në Stafordshire në Britaninë e Madhe, ndërsa ka doktoruar në Universitetin në Lubjanë. Prej vitit 2006 u angazhua në Universitetin në Tetovë në disa pozita. Në vitin 2014 ka qenë nënkryetar i PDSH-së. Ka marrë pjesë edhe në disa punëtori nga sfera e politikës dhe ka shkruar disa libra, ndërsa punimet e tij shkencore janë publikuar në revista ekonomike.
Nga viti 2012 deri në vitin 2016 ka qenë këshilltar në komunën e Tetovës ndërsa më pas është emëruar si deputet nga radhët e PDSH, dhe postin e ka mbajtur deri në vitin 2017.
BARDHYL DAUTI, ministër për investime të huaja
Ka diplomuar në Fakultetin e ekonomisë në UEJL
Ka magjistruar në Universitetin në Stafordshire të Anglisë
Ka doktoruar në Universitetin në Lubjanë
Prej vitit 2006 i punësuar në UT
Në vitin 2014 nënkryetar i PDSH-së
2012-2016 këshilltar në komunën e Tetovës
2016-2017 deputet në Kuvend
Emrat e ministrave u votuan në seancën që filloi ditën dhe mbaroi në orën 23 të natës ndërsa më pas ata e bënë edhe betimin. Kuvendi miratoi propozimet e kryeministrit edhe për postet zëvendësministrore.
Andrej Zhernovski u emërua zv/ministër i Punëve të Jashtme.
Asim Musa u zgjodh zv/ministër i Shëndetësisë.
Gjonul Bajraktar u zgjodh zv/ministër në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa Sadik Beqiri zv/ministër në Ministrinë për Transport dhe Lidhje./SHENJA