Majdanoz i freskët në vazo, si ta mbillni në ballkonin tuaj

Majdanozi është një barishte me dhunti të veçanta që i jep gatimeve tona një aromë speciale.

Marketing

Ai përdoret në salca, sallata dhe sidomos në supa të ndryshme, pasi zëvendëson nevojën e kripës.

Gjithashtu majdanozi ka vlera ushqyese për organizmin tonë duke qenë se është i pasur me hekur, vitaminë C dhe A.

AgroWeb.org ju sjell mënyrën më të lehtë për ta kultivuar këtë bimë në shtëpinë tuaj.

Mbjellja

Fundi i pranverës dhe fillimi i verës është periudha më e mirë për të mbjellë këtë bimë.
Gjithçka që ju duhet është një tufë majdanoz i blerë nëpër tregje. Pasi ta keni larë, AgroWeb.org ju udhëzon ta ndani tufën sipas kërcenjve. Në një gotë me ujë vendosni 1-2 degë dhe do t’i lini derisa bima të lëshojë rrënjët e saj.

Në një vazo me pleh organik, me pak lagështirë, hapim një gropë 5cm të thellë. Aty vendosim degën e majdanozit dhe e mbulojmë me kujdes me plehun e mbetur.

Nëse doni që ta mbillni me fara, mjafton që t’i blini ato në dyqanet e luleve apo fidanëve. Farat ju japin mundësinë që t’i mbillni dhe në oborrin tuaj.

Sigurohuni që toka të jetë e punuar dhe e plehëruar, më pas vendosini farat 3-4 cm larg njëra tjetrës.

Mundohuni që zona rreth bimës të jetë e pastruar nga barërat e këqija.
Do të shikoni rezultatet e para pas 3 javësh, duke qenë se majdanozi nuk rritet me të njëjtin ritëm si mëndërza dhe borziloku.

Nëse keni dhe bimë të tjera në oborrin tuaj, mbilleni majdanozin afër domateve dhe misrit. Hija dhe lagështira që këto bimë ofrojnë, krijojnë kushtet përkatëse për rritjen e tij.

Kujdesi
AgroWeb.org ju këshillon që t’i ujisni farat shpesh, në mënyrë që të mos thahen por dhe që të lëshojnë filizat.

Dhe gjatë verës mundohuni t’i ujisni në mënyrë rutinore.
Ndërsa në periudhën e dimrit, vazot e mbjella, vendosini në parvazët e dritareve, që të jenë larg të ftohtit por të kenë mundësi të shohin diellin.