Arbër Ademi sot e mori funksionin ministër i Arsimit dhe Shkencës, në vendin e ministres të deritanishme Renata Deskoska.
Si zëvendësministër i deritanishëm në MASH Ademi premtoi angazhim të sinqertë dhe maksimal, por dhe përkushtim të plotë në punë.
“Së bashku, në partneritet i tejkalojmë të gjitha sfidat, së bashku arrijmë sukses në realizimin e aktiviteteve të shumta dhe sipas bindjes time personale mendojë se kemi treguar shpejtësinë, këmbënguljen dhe angazhimin e sinqertë ndaj përmirësimit të gjendjeve në sistemin arsimor kombëtar”, theksoi Ademi për bashkëpunimin e deritanishëm me Deskoska.
Theksoi se edhe në të ardhmen entuziaste, me të gjithë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do të vazhdojnë me realizimin e të gjitha prioriteteve, aktiviteteve, masave dhe projekteve, të cilët janë pjesë e programit të Qeverisë.
“Fokusi, gjithsesi, mbetet në reformimin e arsimit fillor dhe të mesëm përmes zbatimit të zgjedhjeve të reja ligjore, si dhe zbatim të programeve të reja mësimore”, potencoi ministri i ri i arsimit dhe shkencës.
Ademi theksoi se po punohet për përgatitjen e teksteve shkollore me përmbajtje të korrigjuar, promovim më të madh të arsimit të mesëm profesional, si dhe nxitjen e kreativitetit të arsimtarëve dhe nxënësve.
“Në pjesën e arsimit të lartë, gjithsesi, mbetet të mbajmë llogari për zbatimin e të gjitha përcaktimeve të cilat janë pjesë e ligjit të ri për arsimin e lartë, që duhet të sigurojë standarde më të mira për punë dhe cilësi në atë sferë”, theksoi Ademi.
Ademi informoi se në përputhje me përcaktimet e përgjithshme të Qeverisë, Ministria për arsim dhe shkencë do të përpiqet të ndajë më shumë mjete për mundësi të reja dhe zhvillim të shkencës.
“Ministria është në dispozicionin tuaj, për bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara, me gjithë ata të cilët kanë propozime më të mira me qëllim për të përmirësuar gjendjen”, shtoi Ademi.
Ai i dëshiroi sukses Deskosës, e cila nga sot kalon në funksionin ministre e drejtësisë.