Ministri i Kulturës, Asaf Ademi ka deklaruar se institucionin të cilin tani e drejton ai, është i hapur për bashkëpunim me Prokurorinë Speciale Publike dhe institucionet tjera për gjitha krimet eventuale që janë bërë në këtë resor. Ai tha se ende nuk është njoftuar në detaje me Raportin për parregullësitë në Ministrinë e Kulturës për vitin 2016, dhe se ditën e parë dje e ka kaluar duke u njohur me punëtorët në ministri.
“Ne jemi të hapur për të gjithë institucionet. Prokuroria Speciale Publike është e mirëseardhur që t’i shqyrtojë të gjitha dokumentet. Jam takuar me një përfaqësues të PS-së, i cili dje ishte në Ministrinë. Unë, do të vazhdoj, dhe kjo është politika e Qeverisë, në çdo vend që do të zbulohet vepra kriminale, do të jemi të hapur për bashkëpunim me PSP-në, si dhe institucionet tjera”, ka deklaruar Ademi. /SHENJA/