Shumat joreale dhe të larta arkëtonin përmbaruesit në periudhën e kaluar dhe kjo duhet të ndalet.
Ky është qëndrimi unanim i qytetarëve pas njoftimit që ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska, do ta shkurtojë tariforin me të cilin përmbaruesit kanë punuar me vite. Dhe jo vetëm tarifa më të ulëta, shumica e atyre që i intervistuan kërkojnë që përmbaruesit të kthehen në gjykata dhe të punojnë për një pagë.
“Përmbaruesit duhet të vendosen nën “ombrellën” shtetërore, përkatësisht nën Ministrinë e Drejtësisë. Ose të arkëtojnë më pak nga njerëzit.”
“Sipas meje është joprofesionale që për 1 denarë të merrni 20 mijë. Është thjesht marrje e parave nga qytetarët, para të cilat nuk i meritoni.”
“Me këta përmbarues, populli erdhi në katastrofë, në varfëri, në uri. Nuk e dinë se sa normë interesi të arkëtojnë përmbaruesit” – thonë qytetarët.
Jo vetëm shkurtimet në tarifor, por edhe zvogëlimi e veprimeve të përmbaruesve që ndërmerren ndaj qytetarëve. Ministrja e re e drejtësisë, e cila njoftoi reforma urgjente në gjyqësor, tha se disa nga aktivitetet e përmbaruesve nuk meritonin të paguhen. Deskoska thotë se shkurtimet e tariforit dhe veprimeve nuk do ti rrezikojë përmbarimet dhe se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore nuk do të rrezikohet.
“Unë personalisht mendoj se veprime të caktuara nuk duhet të arkëtohen në procedurën e përmbaruesve. Po mendojmë edhe për kufizimin e shumës totale si një shumë në përqindje nga borxhi, kështu që këto çështje do t’i vendos në tavolinë para njerëzve që janë ekspertë dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë nga kjo sferë” – deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Disa Organizata Joqeveritare që kundërshtuan punën e përmbaruesve çdo të shtune para dyerve të portës triumfale në Shkup mbledhin nënshkrime nga qytetarët. Qëllimi i tyre është kthimi i veprimtarisë së përmbaruesve në gjykata. Përndryshe, ligji i ri për përmbarim është në fazën përfundimtare. Autoritetet njoftuan se propozim teksti do t’i jepet fillimisht ekspertëve për të parë mangësitë, nëse ka, dhe vetëm pastaj do të dërgohet në qeveri./Alsat-M