”27 prilli”, Gjykata do të vendosë më 21 qershor

Me datë 21 të këtij muaji pa prezencën e opinionit do të vlerësohet akuza për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. Për dy javë do të mësohet nëse Gjykata Penale do ta pranojë ose jo akuzën kundër 30 personave që ngarkohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues, njoftojnë nga Shkupi 1.

Marketing

Praktika e deritanishme e vlerësimit të akuzës është që në seancë të marrin pjesë edhe avokatët e të akuzuarve dhe prokurori i lëndës. Prokuroria për krim të organizuar akuzën për hyrjen e dhunshme në Kuvend e ngriti më 27 mars të këtij viti dhe në dy muajt e kaluar ishte periudha e ankesave nga të akuzuarit për përmbajtjen e dokumentit.

Megjithatë, edhe pse Prokuroria përgatiti akuzë, nuk sqaroi kush është porositës i ngjarjeve të dhunshme në Kuvend dhe nga kush kanë marrë urdhra deputetët e VMRO-DPMNE-së për t’i hapur dyert e Kuvendit që demonstruesit pa penguar të futen në Kuvend. Prokurori shtetëror theksoi se ende po hetohet kush e ka porositur dhunën.

Po, Prokuroria vepron në atë drejtim. Kur do kemi informata të reja që do mundemi t’i ndajmë me opinionin, atë do e bëjmë me kohë – deklaroi prokurori publik shtetëror Lubomir Jovevski.

Në përshkrimin e akuzës, prokuroria ka shënuar se mobilizimi i njerëzve është bërë me thirrje nga Austria. Po atë ditë në vizitë zyrtare në Vjenë ishte ish kryeministri Nikolla Gruevski. Sipas akuzës, thirrjen e ka bërë një anëtar i sigurimit të tij. Ai ka komunikuar me Aleksandar Vasilevski- Ninxha i cili më pas ka filluar me mobilizimin e njerëzve dhe të ndajë “Maska”. Thirrjen telefonike e konfirmoi edhe Gruevski duke sqaruar se truproja ka biseduar me Ninxhën, por për çështja familjare pasi ata janë vëllezër.

Në mesin e të akuzuarve për terrorizëm për ngjarjet e 27 prillit janë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, si dhe Lupço Dimovski. I akuzuar është edhe ish drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, disa pjesëtarë të policisë dhe sigurimi i Kuvendit si dhe organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”.