Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një fjale rasti në zbulimin e pllakës memoriale për ushtarët e KFOR-it të rënë në Kosovë, ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht mirënjohes ndaj atyre që dhanë jetën për të siguruar paqen dhe stabilitetin në vend.
“Në ditën e paqes ne kujtojmë dhe nderojmë gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre, Qeveria dhe populli i Kosovës janë përjetë mirënjohes për veprën e tyre , ne jemi popull që shprehim falënderim, nuk harrojmë të kaluarën, dhe synojmë një të ardhme më të sigurtë”, u shpreh Haradinaj.
Tutje, Haradinaj tha se Kosova synon anëtarësimin në NATO jo vetëm për të ndihmuar veten dhe rajonin, mirëpo këdo që ka nevojë për ndihmë, shkruan lajmi.net.
“Kosova synon anëtarësimin në NATO për të ndihmuar jo vetëm veten dhe rajonin, por këdo që ka nevojë. Kosova është e gatshme që të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë. Ky memorial është një shenjë për këtë”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj po ashtu tha se Kosova e mbështet qëndrimin e përhershëm të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
I pranishëm në zbulimin e kësaj pllake memoriale ishte edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.
Ai aty deklaroi se të rënët në Kosovë për lirinë dhe paqen e vendit do të jenë gjithmonë pjesë e veçantë e historisë së vendit.
Berisha po ashtu tha se 12 qershori do të mbetet në historinë e Kosovës si dita e shpresës dhe dita kur vendit i është ofruar bindja se nuk është vet.