Ikja e punonjësve shëndetësorë në vendet perëndimore është bërë problem i cili ka filluar t’i shqetësojë strukturat shtetërore, mirëpo ende nuk është gjendur një mekanizëm adekuat si të parandalohet kjo dukuri. Tash së fundmi Ministria e Shëndetësisë po mendon të hartojë një strategji që do të shkonte në favor të shtetit, por jo edhe të individëve, shkruan gazeta KOHA.
Konkretisht Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë parashikon të lidhë një marrëveshje me ministrinë e homologe të Gjermanisë e cila do të obligonte infermieret të punojnë përkohësisht në këtë shtet e jo me afat të pacaktuar siç është tani. Në këtë mënyrë autoritet e Maqedonisë duan të frenojnë ikjen masive të punonjësve shëndetësorë në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe të mëdha nëpër spitalet dhe ordinancat e Maqedonisë.
Shoqata e motrave medicinale,teknikëve dhe mamive “Për ne” është kundër masave të tilla dhe kërkon që Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë para se të del me kushtëzime të tilla, të krijojë kushte të volitshme që punonjësit shëndetësor të mos e braktisin vendin.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, dr. Asim Musa për gazetën KOHA, thotë se nuk ka biseduar me ministrin e Shëndetësisë, por është informuar përmes mediave se ministri Filipçe parashikon marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë të Gjermanisë, për parandalimin e infermierëve që ikin nga Maqedonia. Ai shton se nuk bëhet fjalë për kushtëzim dhe as nuk mund të kushtëzojë qytetarët e vendit aq më pak të urdhërojë një shtet tjetër që të marrë masa për të ndaluar fluksin e infermierëve që ikin. Sipas zëvendësministrit Musa, është pak e arritshme ky synim.
“Gjermania nuk i merr infermierët pse ka dëshirë, por sepse ka nevojë për këtë staf mjekësor. Sipas tij, Gjermania ka ligje që rregullon punën e një shtetasi të huaj në vendin e tyre dhe në këtë kontekst, nuk mund të kushtëzohen njerëzit, sepse nuk jemi në kohën e monizmit, ku edhe kufizohej lëvizja e njerëzve”.
Edhe dr. Musa pajtohet se dukuria e ikjes së kuadrove shëndetësorë do të parandalohej nëse ofrohen kushte më të mira, që, të paktën, atë jetë që kërkojnë infermierët në Evropë, ta gjejnë edhe në shtetin e tyre. Prandaj në këtë drejtim po merren masa, gjegjësisht ka përmirësime jo në paga, por në ngritjen e shumës së shtesës së punës së siç janë kujdestaria, puna gjatë natës, informon ai dhe shton se me rritjen e pagave të mjekëve duhet të rriten edhe pagat e infermierëve, meqë janë edhe bartësit kryesor të aktiviteteve.
Nga Shoqata e motrave medicinale, teknikëve dhe mamive “Për ne” thonë se infermierët tanë nuk ikin vetëm në Gjermani, por në të gjitha vendet e botës,dhe nëse deklarata e ministrit vërtet bëhet realitet, kjo nuk mund të jetë zgjidhje.
Gordanka Beshliovska përfaqësuese e Shoqatës “Për ne” mendon se një kusht i njëjtë duhet të vlejë edhe për mjekët që 2-3 muaj të punojnë dhe të kthehen në vendin e tyre.
Prandaj, nga kjo shoqatë kërkojnë të themelohet një odë, sepse nuk janë reprezentativë, nuk ka ligj për profilin e tyre, ku edhe e kërkojmë nga ministria. Ditët në vazhdim pritet që të kenë takim me sindikatën dhe ministrin që do të paraqesim qëndrimet e tyre për përmirësimin e kushteve të infermierëve. Problemin e kuadrit mjekësor nga shoqata thonë se duhet këtu ta zgjedhin. Nuk e shohin të rëndësishme që ajo metodë do të ndërhyj në ndalimin e infermierëve.
Edhe pse infermierët për momentin e kanë pagën 16.000 denarë, ato megjithatë presin të rritet koeficienti dhe marrëveshja kolektive të ndryshohet. Pastaj duhet të ketë konkurse të rregullta, në mënyrë që të ndërpritet praktika e punës me kontratë, edhe përkundër fakti se ka mungesë të kuadrit mjekësor.
Për tejkalimin e problemeve të grumbulluara në sektorin e shëndetësisë publike, kjo Shoqatë pati takim në Ministrinë e Shëndetësisë, me ç’rast ka parashtruar këto kërkesa: ndryshimi i koeficientit të pagës, njohja e profilit në marrëveshjen kolektive, të njihet përvoja e punës, kufi në shkallën e pensionit, vlerësim i punës së kujdestarisë dhe Shoqata të shndërrohet në odë të mjekëve.