Nobelisti Ferid Murad mori pjesë në hapjen zyrtare të konferencave shkencore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara dhe Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore

Në Universitetin e Tetovës filluan punimet e Konferencës IV Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara si dhe Konferencës II Shkencore Ndërkombëtare të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Në hapjen solemne të këtyre konferencave i pranishëm ishte edhe nobelisti si dhe laureati i titullit Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës (2012) z. Ferid Murad.

Marketing

Punimet e konferencave i shpalli të hapura Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se organizimi i konferencave të lartpërmendura, sot ka të tjera përmasa, ka më shumë peshë shkencore, është edhe më dinjitoze, më madhështore, sepse me praninë e tij Universitetin e Tetovës e ka nderuar njëri nga personalitetet e ndritura të kohës së sotme nga fusha e mjekësisë dhe farmakologjisë, prejardhja e të cilit është pikërisht nga vendi ynë, eruditi dhe nobelisti Prof. Dr. Ferid Murad, Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës, i laureuar në vitin 2012, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. “Sot jemi të nderuar me praninë Tuaj në Universitetin tonë dhe pafundësisht jemi krenarë që emri Juaj përfaqëson njërin nga dijetarët më të mëdhenj dhe më të respektuar në nivel botëror dhe njëherit e begatoni rrethin e personaliteteve të mëdha të familjes së Universitetit të Tetovës. Arritjet dhe sukseset e nobelistit, Prof. Dr. Ferid Muradit, kontributi i tij i gjithanshëm, puna kërkimore-shkencore, veprimtaria profesionale, aplikative dhe publicistike, vlerat etike, puna hulumtuese dhe zbulimet shkencore në fushën e shkencave të mjekësisë, humanizmi, roli novator dhe rezultatet e suksese të tjera të panumërta e bëjnë krenarë komunitetin akademik, opinion mbarëbotëror, por mbi të gjitha neve që krenohemi për origjinën e tij shqiptare” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Studiuesve shkencorë, pjesëmarrës në këto konferenca me fjalë rasti iu drejtua nobelisti shqiptar Prof. Dr. Ferid Murad. Ai tha se asnjëherë nuk duhet ndërprerë kërkimet dhe hulumtimet shkencore, sepse në fund të punës do të rezultojë diçka e suksesshme. “Kur e mbarova kolegjin, fillova në një projekt në universitetin e Klivlendit, në një program studimor të kombinuar. Fillova një projekt hulumtues me mentorin tim në departamentin e farmakologjisë, një formulë të metabolizmit për të nxitur tretjen e glukozës ne mëlçi. Projekti zgjati 7 vjet në departamentin e farmakologjisë dhe biologjisë, duke influencuar formimin e këtij kumtari ndërqelizor. Në kohën time ky lloj hulumtimi nuk ishte shume i popullarizuar, por e kuptova se ishte shume i rëndësishëm. Ishte një hulumtim me rrezik të lartë dhe shumë interesant. Nga ky hulumtim e zbulova një kumtar oksidi nitrik, me aplikimin e te cilit u prodhuan barna te shumta për të gjitha llojet e sëmundjeve. Këto projekte hulumtuese rezultuan me mbi 150.000 hulumtime te mirëfillta ne mjekësi dhe biologji. Ky element kimik gjithashtu mund te përdoret edhe te sëmundjet kardiovaskulare. Kur fillova me hulumtimet e mia shume njerëz mendonin se nuk është e rëndësishme ajo qe bëja, por rezultoi se ishte diçka shume e rëndësishme dhe uroj që e dhe juve t’ju ndodhë një gjë e tillë” – u shpreh nobelisti Prof. Dr. Ferid Murad.

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti, nobelistit z. Ferid Murad në shenjë mirënjohjeje për nderimin që ai i bën Universitetit të Tetovës dhe kontributin e tij që jep në fushën e mjekësisë si dhe lartësimin e emrit shqiptar në arenën botërore i ndau një dhuratë me portretin e Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Po ashtu në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për Universitetin e Tetovës, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti një dhuratë me të njëjtin portret ia ndau z. Bruno Ceka, Kryetar i Komunitetit Shqiptar në Teksas.

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti gjithashtu me rastin e organizimit të këtyre konferencave paralele i përgëzoi drejtuesit e fakulteteve për realizimin dhe vënien në funksion të projekteve të tilla shkencore, të cilat sipas tij intensifikojnë komunikimin në mes studiuesve, mes bashkësive akademike dhe se vetëm në këtë mënyrë do të ndërtohen vlera të përbashkëta për shoqërinë tonë. “Në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Tetovës dhe si pedagog i çmoj lart përpjekjet tuaja për zhvillimin e vlerave shkencore dhe bashkë me Ju ndaj bindjen se kultura, edukimi dhe hulumtimet shkencore çdo ditë e më tepër na afrojnë me civilizimin dhe botën e qytetëruar. Arsimi ka rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre cilësive, prandaj ne si drejtues të këtij Universiteti, bashkë me njësitë akademike, qendrat dhe zyrat përkatëse angazhohemi që të jemi në lartësinë e detyrës sonë, të misionit të shenjtë për arsimimin, edukimin, emancipimin e brezave dhe zhvillimin e vendit tonë. Sot shtetet e rajonit dhe ato perëndimore, nëpërmjet institucioneve të konsoliduara, universiteteve, japin kontributin e veçantë në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit mes tyre. Duke i vlerësuar universitetet si thesare të çmuara, duke i dashur dhe nderuar ata, ne bashkërisht do të përmbushim objektivat tanë. Qasja jonë ndaj hulumtimit shkencor është shumë serioze, ndaj duke u dhënë prioritet studimeve të thelluara si mjeti më i fuqishëm, vlerësojmë se kemi hedhur hapa të konsiderueshëm në avancim të dijes, zhvillimit ekonomik dhe integrimit shoqëror. Konferencat e sotme, konferencat pararendëse dhe ato që do t’i organizojmë në të ardhmen, përfaqësojnë vlera shkencore dhe për pjesëmarrësit, studiuesit nga rajoni dhe bota që e mbështesin cilësinë e kërkimit, përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për të realizuar një forum shkencëtarësh në lëmin e shkencave të caktuara” – theksoi Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të UT-së, Prof. Dr. Fauzi Skenderi tha se në Konferencën e Dytë Shkencore të Fakultetit që ai drejton marrin pjesë të gjitha programet studimore me 89 kumtesa dhe se do të realizohen në shtatë sesione të veçanta sipas fushave përkatëse si Biologji, Informatikë, Kimi, Ekologji, Gjeografi, Matematikë dhe Fizikë. “Kjo konferencë është një mundësi e shkëlqyer për ta forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në hulumtimet e mirëfillta kërkimore-shkencore të studiuesve të fakultetit tonë dhe atyre nga rajoni e më gjerë si dhe bashkëpunimin në mes shkencës dhe biznesit. Qëllimi i konferencës është i shumanshëm, duke filluar nga inkurajimi dhe mbështetja e hulumtuesve të bashkëpunojnë mes veti, e deri të nxitja e studentëve për më shumë interesim dhe përkushtim në përfitimin e njohurive të reja dhe ballafaqimin me sfidat e shkencave të natyrës” – deklaroi Prof. Dr. Fauzi Skenaderi.

Ndërsa Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të UT-së Prof. Dr. Nderim Zeqiri deklaroi se organizimi i katërt i konferencës ndërkombëtare paraqet një mundësi më të mirë në drejtim të ngritjes së nivelit të bashkëpunimit në nivel universitar. “Në konferencë mundësohet që të gjithë hulumtuesit të paraqesin pikëpamjet dhe këndvështrimet e tyre ndaj problematikave të ndryshme shkencore. Qëllimi i konferencës është që të krijojë ura komunikimi dhe paraqitjen e mendimeve më ndryshe, përmes artikujve, kështu duke trajtuar tema të cilat e tangojnë aktualisht shkencën në përgjithësi dhe kontekstet teknike në veçanti. Sistemi i vendosjes së potencialeve krahasuese, argumenteve të ndryshme, janë forca shtytëse për gjetjen e modeleve të reja, dhe krejt këtë për ta zbatuar në fusha të ndryshme me karakter ndërlidhës me profile të ndryshme” – vlerësoi Prof. Dr. Nderim Zeqiri.

Në këto konferenca u promovuan edhe numrat 3 dhe 4 të Revistës së Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore dhe numrat 5 dhe 6 të Revistës së Fakultetit të Shkencave të Zbatuara JAS SUT (Journal of Applied Sciences –SUT).

Marketing