Ish-shefit të diplomacisë europiane, Javier Solana, njëkohësisht ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmin e përcjell “New York Times”, që si arsye për këtë ndalim citon një vizitë të tij në Iran në vitin 2013.
Solanës, një prej politikanëve më të rëndësishëm të BE-së, i është mohuar autorizimi elektronik për të shkelur në tokën amerikane, e tani, siç thotë edhe vet, do të aplikojë për vizë.
75-vjeçari e konsideron këtë akt për çdo rast, më shumë burokratik sesa politik. Në vitin 2016, administrata “Obama”, në përgjigje të kufizimeve të vendosura nga Kongresi i ashpërsoi rregullat e hyrjes për qytetarët e 38 vendeve, të cilët kishin udhëtuar drejt Iranit, Irakut, Sudanit apo Sirisë pas 1 marsit të vitit 2011.
Solana ishte në Republikën Islamike në vitin 2013, si i ftuar për betimin e presidentit Hassan Rouhani, ndërkohë që atëherë nuk mbante ndonjë post zyrtar.