Dy pjesëtarë të policisë sot pasdite janë lënduar në Haraçinë, derisa po tentonin të legjitimonin dy persona të kërkuar me fletëarreste.
Sipas njoftimit të MPB-së, incidenti ka ndodhur rreth orës 17 në rrugën 1 në Haraçinë, kur policët kanë ndaluar makinën e tipit “Golf” ku ishin dy persona me inicialet O.M, 33 vjeç dhe G.M, 20 vjeç, të cilët kërkoheshin me fletëarreste për vuajtjen e dënimeve me burg.
Në momentin kur njëri polic i është ofruar makinës, drejtuesi i saj me inicialet O.M ka startuar makinën nga prapa dhe ka goditur policin. Më pas pjesëtari i policisë ka shtënë disa plumba në ajër duke paralajmëruar të shumëkërkuarit, por drejtuesi i makinës nuk ka ndaluar dhe ka goditur edhe pjesëtarin tjetër të policisë duke e plagosur rëndë.
Më pas dy të kërkuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Nga MPB theksuan se janë ndërmarrë masa për kapjen e tyre, ndërsa dy policëve u është dhënë ndihma e shpejtë në Spitalin e qytetit të Shkupit.