OSMANI: Progresi në marrëdhëniet e ndërsjella do ta trasojë rrugën për thellimin e miqësisë mes dy vendeve

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane mbajti takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.

Marketing

“Maqedonia dhe Kosova realizuan progres të rëndësishëm ne marrëdhëniet e ndërsjella periudhën e kaluar, duke trasuar rrugën për thellimin e miqësisë mes dy vendeve” theksoi Osmani, duke i shprehur falënderim ambasadorit Hysa, për kontributin e tij në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes dy vendeve.

Në vazhdim, bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga progresi i realizimit të projekteve të përbashkëta, ne veçanti në pjesën e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar, financuar nga fondet e IPA-s të Bashkimit Evropian, duke potencuar këtu edhe njërën ndër sukseset më të rëndësishme dhe vendosjen e gurthemelit të kalimit të përbashkët kufitar Belanoc- Stançiq. Në kontekst të lehtësimit të komunikimit mes dy vendeve, bashkëbiseduesit përshëndetën edhe progresin e projektit të autostradës që lidh Shkupin dhe Prishtinën, me çka dy vendet formalisht do të bëhen fqinj më të afërt.

Bashkëbiseduesit gjatë bisedës edhe një herë potencuan se Maqedonia dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura, por kanë qëllime të përbashkëta, për të cilat së bashku do të punojnë – anëtarësim në BE dhe NATO.