Ambasadori grek në Maqedoni Dimitros Janakakis sot deklaroi se Greqia e përkrah vendin tonë në BE dhe në NATO mbi bazën e marrëveshjes nga Prespa por, sipas tij, tani gjithçka është në duart e vendeve anëtare.
“Ky vend ka aspirata që të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Greqia mbi bazë të marrëveshjes nga Prespa i përkrah këto përpjekje, por hyrja nuk varet vetëm nga Greqia. Tani është në duart e vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe të BE-së që t’i përkrahin aspiratat e këtij vendi në të ardhmen”, theksoi Janakakis, i cili foli në seminarin e 98-të Ros-Rot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Janakakis foli për marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit për emrin duke theksuar se bëhet fjalë për një Marrëveshje historike “që do të vendosë marrëdhëniet midis dy vendeve në një truall të ri”.
Ambasadori grek theksoi se arritja e një marrëveshje të tillë nuk është e lehtë për asnjërën palë dhe se është arritur pas negociatave të vështira në të cilat janë ngritur çështje shumë të ndjeshme.
Lidhur me NATO-n, ambasadori grek tha se Greqia ka interes shumë të madh që ta përforcojë sigurinë në EJL, por edhe rajonin më gjerë.
“Midis Greqisë dhe IJRM-së ose Maqedonisë Veriore, siç shpresojmë se do ta quajmë vendin për disa muaj edhe nuk kishte probleme të mëdha përveç çështjes së emrit dhe çështjeve të lidhura me irredentizmin të cilat tani janë zgjidhur me Marrëveshjen e përmendur”, tha ai.
Dëshirojmë, shtoi Janakakis “një fqinj stabil dhe prosperues në kuadër të kufijve të tij që do të jetë një mik ynë shumë i mirë dhe me të cilin do të kemi bashkëpunim dhe këmbim shumë të mirë ekonomik.
Lidhjet ekonomike midis të dy vendeve janë shumë intensive, tha Janakakis duke përmendur se në vend ka edhe shumë investime greke.