Mbrojtja e të akuzuarve në rastin “Monstra” pret shpallje gjyqësore të pafajësisë

Avokati i mbrojtjes në rastin “Monstra”, Naser Raufi tha se tregimi i dëshmisë së rrejshme të Haki Azirit në seancën e fundit gjyqësore nuk shkon në dëmin e të akuzuarve, pasi që këshilli gjyqësor e di se deklarata e tij është dhënë nën presionin e policisë.

Marketing

Raufi vlerësoi se nga incizimi mund të shihet qartas se Aziri ka qenë nën presion të fuqishëm psikologjik. Sipas tij, tregimi i dëshmisë duhej bërë pasi që është kërkuar nga Gjykata e Lartë.

“PSP nuk ka mundur që të marr kompetencat e një lënde të këtillë nëse nuk ka dëshmi të reja. Dëshmi sigurt ka. Posedon biseda, por nuk është koha tani që t`i jap për shkak të rregullave ligjore. Fillimisht duhet që të shkohet në debat në Gjykatën e Lartë, pastaj PSP do të vazhdon me ato dëshmi që i ka, dëshmitë në lidhje me bisedat e përgjuara në formë jo ligjore”, deklaroi për Almakos, avokati Naser Raufi.

Sipas avokatit Raufi me 5 nëntor të këtij viti janë caktuar dy seanca për dëshmitarin e rrezikuar E-1.

Marrja në pyetje do të bëhet sipas Ligjit të vjetër për procedurë penale. Këshilli gjyqësor ka kërkuar që të bëhet rikonstruksion i ri i ngjarjes, edhe përskaj asaj që kjo gjë nuk ka qenë pjesë e debatit në Gjykatën e Lartë. Për avokatin Raufi, fillimisht duhet gjetur vetura si dëshmia kryesore materiale.

“Rreth asaj si duket ka probleme me veturën, kemi disa informacione se ose nuk ka ekzistuar ose nëse ka ekzistuar fizikisht është e pamundur që të shikohet ajo. D.m.th. si duket ka problem në prokurori në lidhje me dëshmitë”, nënvizoi avokati.

Ai pret që PSP të vazhdoje me dëshmi të reja, të cilat nuk do të janë ndonjë befasi e madhe, por ka dëshmitar të ri që do t`i shkoje përshtati mbrojtjes.

Në gjykimin e fundit për rastin “Monstra” janë lëshuar më shumë materiale video nga deklarata dhe pranim nga ana e të akuzuarit Haki Aziri, të cilat tani në gjykimin e përsëritur ai po i mohon dhe po thotë se ato deklarata i ka dhënë pas rrahjes dhe torturimit nga policia.