Zbulohet një lloj i ri insekti nga Maqedonia

Këto ditë është publikuar punimi për zbulimin e një lloji të ri insekti nga Maqedonia. Është fjala për llojin Agaphylax balcanicus, të zbuluar nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi në bashkëpunim me dy entomologë të tjerë nga Hungaria.

Marketing

Ky lloj është gjetur në Parkun Kombëtar ‘Pelister’, në Maqedoni, i takon grupit të insekteve të ujërave dhe shërben edhe si tregues i kualitetit të mirë të ujërave rrjedhëse.

E veçanta e këtij lloji, përveç se është i rrallë dhe momentalisht i njohur vetëm nga disa lokalitete të izoluara nga Pelisteri, është edhe se është vërtetuar se i takon një gjinie të re taksonomike e përshkruar në të njëjtin punim.
Përderisa viteve të fundit janë zbuluar disa lloje të reja të insekteve ujore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, ky është një rast i rrallë nga Evropa ku përshkruhet edhe një gjini e re taksonomike.

Lloji është emërtuar në bazë të rajonit ku është gjetur, Gadishullit Ballkanik.
Punimi është publikuar në revistën Opuscula Zoologica e cila merret me hulumtime nga fusha e zoologjisë.

Llojet e tilla të rralla të insekteve të lumenjëve viteve të fundit janë nën kërcënim të vazhdueshëm në Ballkan nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe degradimi i mjedisit.