SPB Tetovë bën apel për më shumë kujdes me zjarret

Gjatë javës së fundit të qershorit, në rajonin e Tetovës kanë ndodhur disa zjarre në objekte të ndryshme, gjegjësisht banesa dhe shtëpi, shkruan gazeta Koha. Shkaqet për përhapjen e zjarreve ende janë në hetim e sipër, por duke marrë parasysh se pason një periudhë me temperatura të larta, si dhe dinamikë më e lartë e lëvizjeve në rajon, pikërisht për këtë arsye rriten edhe mundësitë për përhapjen e më shumë zjarreve Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë përsëri rikujton për nevojën e zgjuarsisë maksimale dhe kujdesin e secilit individ në veçanti, të cilët lëvizin dhe punojnë në vende të hapura, por edhe në objekte.

Marketing

“Apelohen qytetarët që rregullisht të kontrollojnë rregulluesit teknik të instalimeve elektrike, kryesisht nëse në ato ka të kyçur më shumë harxhues, të mos i lënë të ndezura pajisjet në kuzhinat e tyre, dhe të mos shfrytëzojnë kabllo vazhduese, të improvizuara dhe të montuara në mënyrë joprofesionale. Sepse, në këtë mënyrë mund të shkaktojnë zjarre dhe të vënë në pikëpyetje sigurinë e pronës së tyre, por edhe pronën e fqinjëve të tyre, kryesisht nëpër pallatet banuese, dhe në përgjithësi”.

“Bujqve, pushuesve në piknike, dhe të gjithë ata që qëndrojnë nëpër fusha dhe pyje, këshillohen të mos ndezin zjarre, të mos hedhin cigare të ndezura dhe të pa fikura mirë, për shkak se shkaktimi i zjarreve paraqet vepër penale, për të cilën është paraparë dënim me burg, varësisht nga rrethanat dhe pasojat përfundimtare nga zjarri”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë në periudhën e ardhshme do të realizojë aktivitete të koordinuara, me të vetmin qëllim, parandalimin e shkaktarëve të mundshëm të zjarreve, para së gjithash nëpër fusha dhe pyje, të cilat vite me radhë në rajonin e Pollogut ndodhin shpeshherë gjatë muajve të verës.