Ademi: Arsimi profesional duhet të jetë më fleskibil

Arsimi profesional doemos duhet të jetë më fleksibël, kur bëhet fjalë për përshtatjen e të njëjtit me nevojat e tregut të punës, sepse vetëm në këtë mënyrë do të krijohen nxënës me njohuri, aftësi dhe kompetenca adekuate, me të cilat menjëherë pas mbarimit të procesit arsimor do të jenë në gjendje të punësohen dhe t’u përgjigjen kërkesave të punëdhënësve.

Marketing

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili merr pjesë në Konferencën Rajonale dyditore kushtuar ndryshimeve në sferën e arsimit profesional dhe teknik në vendet e Ballkanit Perëndimor, që mbahet në Berlin, në organizim të Ministrisë Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Siç informojnë nga MASH, Ademi në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e vetëdijshme për rëndësinë e arsimit profesional dhe, në këtë kontekst, po punon intensivisht në avancimin e cilësisë së të njëjtit, por edhe në ngritjen e atraktivitetit, me qëllim që më shumë nxënës të vendosin për këtë lloj të arsimit, ku sigurohet transformim më i lehtë nga arsimi në punë.

“Nuk mund të flasim për arsim cilësor profesional nëse i kushtojmë më shumë vëmendje njohurive teorike e më pak aftësive praktike dhe kompetencave të nxënësve. Kjo është arsyeja pse u angazhuam për rritjen e orëve për trajnim praktik, jo vetëm në shkollë, por edhe në një kompani te punëdhënësi, që është mjedis i shkëlqyer për të mësuar dhe për zhvillimin e aftësive për të përmbushur detyrat e punës. Jemi duke punuar, gjithashtu, edhe për modernizimin e programeve mësimore ekzistuese, si dhe për aplikimin e të ashtuquajturave programe të reja modulare në shkolla, që bazohen në rezultatet e mësimit dhe vlerësimit të rezultateve nga mësimi”, theksoi Ademi.

Ademi tha se shumë përfitime priten nga arsimi i dyfishtë, sipas shembullit të shteteve të zhvilluara evropiane, që te ne fillon këtë vit dhe do të zbatohet në etapa.

“Në këtë konferencë dhe pjesëmarrësit e tjerë i prezantojnë praktikat dhe përvojat pozitive në pjesën e reformave të arsimit dhe aftësimit profesional në vendet nga të cilat vijnë. Në fund pritet të përmblidhen konkluzionet dhe rekomandimet për veprimet e përgjithshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim të avancimit të sferës arsimore, që aktualisht prodhon numër të pamjaftueshëm të kuadrit për të kontribuar në rritjen e qëndrueshme të Ekonomisë Rajonale”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Marketing