Biznesmenit të shquar Lazim Destani i dorëzohet flamuri amerikan

Flamuri amerikan valëvitet në 4 Korrik, mbi Capitol Hill, për nder të biznesmenit dhe filantropit shqiptar Lazim Destani

Marketing

Në një ceremoni të bukur e simbolike, të zhvilluar në zyrën e tij, kongresisti Eliot Engel i dorëzoi zyrtarisht biznesmenit dhe filantropistit të shquar Lazim Destani, flamurin amerikan që është valëvitur në 4 Korrik, mbi ndërtesën e Kongresit Amerikan.

“Ky flamur u valëvit për t’ju nderuar juve në 4 Korrik, miku im”, i tha kongresti Engel duke ia dorëzuar në mënyrë ceremonial një ditë më pas flamurin, ndërsa e falënderoi që Festën e Amerikës e kishin festuar së bashku në Nju Jork.
Engel i lexoi edhe përmbajtjen e dokumentit zyrtar që shoqëron flamurin e palosur në mënyrë ceremoniale në fund të ditës së valëvitjes, nga oficerë të Ushtrisë Amerikane.

“Ky është një çmim dhe vlerësim që na nderon të gjithë ne shqiptarëve!
Për mua personalisht ky është një nga nderet më të mëdha që kam përjetuar deri më tani. Është i këtillë sepse e pranoj nga shteti Amerikan, nga shteti i cili historikisht na ka mbështetur dhe me të cilin kemi lidhje të forta miqësore”, than ë fjalën e tij biznesmeni dhe filantropi shqiptar me emër, Lazim Destani.

Është një traditë e bukur amerikane që flamujt të cilët valëviten mbi ndërtesën e famshme të Kongresit, të njohur ndryshe si Capitol Hill (Kodra e Kapitolit) të përdoren vetëm një herë dhe të ruhen si simbole të vyera amerikane.
Ata ruhen për t’u dhuruar miqve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo figurave të shquara të fushave të ndryshme.
Shpesh, si në rastin e filantropistit të shquar shqiptar, flamurit porositet paraprakisht, në mënyrë që të dihet se për kë valëvitet.

Në këtë rast, ndërmjetës për të nderuar zotin Destani ishte kongresisti Eliot Engel. Themeluesi dhe bashkëdrejtuesi i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan dhe një nga miqtë më të mëdhenj të botës shqiptare në këto 30 vitet e fundit, Engel ka ndërhyrë edhe në raste të tjera për nderime me flamur.

“Unë jam shumë krenar për miqësinë mes popullit shqiptar dhe popullit amerikan. Kemi një diasporë të mrekullueshme shqiptare, e përqendruar sidomos në Nju Jork, por e shtrirë kudo dhe unë kam pasur rastin t’i vizitoj në Detroit, Chicago dhe Boston”, tha Engel, i cili e falenderoi zotin Destani për miqësinë e tij. Kongresisti kujtoi kohën kur vizitoi Ballkanin dhe shkoi nga Kosova në Tetovë, Maqedoni.

“Ju na pritët me bujari dhe krahë hapur dhe u jam mirënjohës”. Engel foli edhe për rrugën e vështirë drejt lirisë që i ishte dashur të bënin shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni etj.
Edhe Lazim Destani foli me të njëjtën frymë: “Unë e çmoj lart këtë miqësi mes dy popujve tanë dhe do vazhdojmë ta forcojmë gjithnjë e më shumë duke mbetur përgjithmonë miq të ngushtë mes vete dhe partnerë besnik te idealeve të përbashkëta”.

“Ju falënderoj pa masë Juve kongresist Engël, jo vetëm për iniciativën që të më dhuroni këtë flamur, që në nderim timin u valvit në Capitol Hill, por edhe për angazhimin tuaj personal prej dekadash, duke dhënë kontribut të paçmueshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare si dhe për demokratizimin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi”, tha Destani, nje nga figurat më në zë të botës së biznesit shqiptar. “Ju jeni dhe përgjithmonë do të mbeteni një ndër figurat më emblematike dhe historike për ne shqiptarët si edhe për botën demokratike të rajonit tone”.

Disa vjet më parë, flamuri amerikan u valëvit në majën e selisë së Kongresit Amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare. Në 1996, kur në mes të periudhës së zezë të diktaturës së Millosheviqit, kongresisti Engel siguroi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, ai solli me vete një flamur të tillë që ishte valëvitur mbi Capitol Hill.

Është një nder akoma më i madh kur bëhet fjalë për një flamur të valëvitur në datën 4 Korrik, festës së madhe kombëtare të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendi që siguroi pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës e meriton t’ia festosh festën e vet të pavarësisë. Aq më bukur kur në një ditë si 4 Korriku nderohet edhe një figurë shqiptare.

Lazim Destani u bë një nga emrat më të njohur të biznesit në Gjermani, fillimisht me Sharr Tourist e pastaj me firmën e tij ndërkombëtare Ecolog. Veprimtaria e tij e shtrirë në mbarë globin përfshiu edhe programe trasporti dhe furnizimi për trupat e NATO-s në disa vende.

Duke dashur të bëjë më shumë për shqiptarët dhe komunitetin ku u lind, ai zgjeroi biznesin e tij edhe në Tetovë, investoi në disa aspekte të shoqërisë shqiptare, dhe ka shërbyer e shërben si një shembull model i sipërmarrësit shqiptarë në atdhe dhe në diasporë.

Ai është edhe pronar i klubit të fubollit “Shkëndija” me të cilin ka arritur suksese të mëdha në kampionatin vendas e së fundi me sfida të forta ndërkombëtare.

Lazim Destani është i njohur edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, si pjesëmarrës i rregullt i darkave vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, ku është njohur edhe me kongresistit Engel.

Disa vite më parë, gjatë një vizite në Ballkan, i shoqëruar nga aktivisti Harry Bajraktari dhe botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kongresisti Engel ndaloi në Tetovë për t’u konsultuar me zotin Lazim Destani, të cilin e përgëzoi për nismat e tij për përparimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Zoti Destani shtroi një drekë për miqtë nga SHBA. Lidhjet mes tyre kanë mbetur të forta edhe sot e kësaj dite dhe ishin të dukshme në ceremoninë e mbajtur në Zyrën e Kongresistit Engel.

Një vit më parë, Engel kishte marrë pjesë në një festim të 4 Korrikut në Kosovë, të organizuar nga Harry Bajraktari. Këtë vit, ishte Engel që e organizoi në Nju Jork festën për Ditën e Pavarësisë së Amerikës. Kongresisti i njohur dhe miku i tij nga Europa, Lazim Destani u ndanë me urimin që një nga festat e ardhshme të 4 Korrikut ta festojnë në Tetovë, mes shqiptarëve të Maqedonisë.

Marketing