Përgatitjet për nisjen e skriningut drejt fazës finale fillojnë me ardhjen e eurokomisionerit Johanes Han më 17 korrik në Shkup.
Skriningu që paraqet skanim i të arriturave të legjislaturës së vendit në përputhje me legjislaturën europiane, do të realizohet në 35 kapituj. Fokusi i Komisionit Europian, si kryesuese e procesit, do të vihet në kapitujt 23 dhe 24, gjyqësor dhe drejtësi, fusha këto ku Maqedonia kë shënuar ngecje.
Eksperti juridik Naser Zyberi thotë se Maqedonia me te gjitha resurset e mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturën ligjore do të duhet ta dëshmojë veten se është gati për çeljen e bisedimeve.
”Maqedonia madje llogaritet ndër vendet me administratë më të ngarkuar, por sa ajo është e përgatitur teknikisht dhe profesionalisht është çështje që do të vërtetohet në fazën e skriningut….Maqedonia është para portave të reformave. Siç dihet në gjyqësor u bënë hapat e parë por jo të mjaftueshëm dhe ka ngecje. Ju e dini që komisioni për antikorrupsion nuk është formuar dhe nuk funksionon, pritet zgjedhja e sërishme e tij dhe të gjitha detyrat që janë para gjyqësorit janë në fazën e përgatitjes së infrastrukturës por jo edhe implementimit të tyre”, tha Zyberi.
Sipas Zyberit reformat në gjyqësi janë çelësi për çeljen e bisedimeve në qershor të 2019-ës. Sipas tij procesi I skriningut që pritet të zgjasë afër një vit, do të jetë gjithashtu provë që ta bind BE-në se Maqedonia ka kapacitet që ndryshimet ligjore ti zbatojë edhe në praktikë.
“Vërejtjet madje janë edhe taksative të numëruara: eliminimi I korrupsionit në gjyqësor, në prokurori, në institucionet tjera , vënia në funksion të komisionit të antikorrupsionit, depolitizimi I gjyqësorit dhe ndërprerja e përnjëhershme dhe rigoroze e influencës së ekzekutivit ndaj gjyqësorit, zbatim rigoroz I dispozitave ligjore në marrjen e vendimeve nga institucionet gjyqësore, aktakuza bindëse dhe të mjaftueshme për proceset të cilat janë hapur dhe të cilat duhet të hapen, dhe të gjitha këto pra do të jenë lëndë e skriningut dhe kjo do ta dëshmojë kapacitetin që e ka Maqedonia për të filluar negociatat apo jo sepse vetëm ndryshimet ligjore janë të pamjaftueshme për të treguar gatishmëri për fillim të negociatave dhe sigurisht që komisioni europian nuk do të bindet dhe nuk do të pajtohet vetëm me ndryshimet në letër”, shtoi Zyberi.
Nëse te gjitha ndryshimet nuk janë funksionale sipas Zyberit mund rrezikohet nisja e bisedimeve. Madje mund të ndodhe që edhe në qershorin e ardhshëm Maqedonia të merr rekomandim të afatizuar për një periudhë të mëtutjeshme.