Ambasadori Samuel Zhbogar në një intervistë për ‘Nezavisen vesnik’, thotë se Maqedonia duhet të jetë e vetëdijshme se nëse refuzon marrëveshjen me Greqinë për emrin, atëherë do të duhet të kthejë ftesat nga NATO dhe BE.
‘E pranoj se është një vendim shumë i vështirë. Nuk është e lehtë, është emocionale.Por marrëveshja është këtu dhe sigurisht, për ne si bashkësi ndërkombëtare, është e rëndësishme të jemi të kujdesshëm për atë që themi, sepse ky vendim duhet të merret këtu nga politikanët dhe qytetarët. Ne vetëm mund të vëzhgojmë dhe inkurajojmë për vendime të vërteta, por ato duhet të sillen këtu.
Gjithkush ka dy opsione për situatën. Ju mund të jeni kundër marrëveshjes, mendoni se është e keqe dhe nuk duhet pranuar, por në atë rast keni dy detyrime.
E para është të paraqitni alternativë ndaj saj, një opsion realist, më të mirë dhe një marrëveshje që ka mundësi ta pranojë pala tjetër. Nëse refuzoni, duhet të thoni cila është zgjidhja, për shkak të seriozitetit të vendimit.
Dhe detyrimi i dytë është të pranoni se në rast se refuzoni marrëveshjen, do t’ju duhet të ktheni ftesat e NATO-s dhe të BE-së. Rruga do të ndalet këtu. Duhet të mendoni për këto dy opsione, thotë Zhbogar.