Gazifikimi në Tetovë përfundon për dy vite

Krahas Ministrit të Transportit, Goran Sugarevski, i cili disa herë ka paralajmëruar se Tetova do të përfshihet në rrjetin e gazifikimit deri në fund të vitit 2020, edhe nga Komuna e Tetovës shpresojnë se brenda dy viteve kjo çështje do të përfundojë.

Marketing

“Nga bisedat që i kemi pasur, normalisht jozyrtare, me drejtorin e resurseve energjetike, ata janë optimist se Tetova do të përfshihet në trasenë kryesore, dhe nëse nuk gaboj – ata kanë arritur deri në anën e Gostivarit me punë, dhe janë shumë optimist se deri në vitin 2020, kjo çështje do të përfundojë”, shprehet Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Nga komuna njoftuan se fillimisht në rrjetin e gazifikimit do të kyçen vetëm institucionet publike, ndërsa më pas edhe amvisëritë.

“Nëse kalon gypi kryesor, në bisedat që i ka patur kryeministri Zoran Zaev me kryetaren e Teuta Arifi, është theksuar se do të mund që edhe amvisëritë tjera do të mund të përfshihen, por fillimisht do të kyçen institucionet publike që më pastaj do të shihen edhe modalitetet tjera që tërë qyteti të përfshihet në gazifikimin”, tha Fazliu. Ai më tej ka sqaruar se Komuna e Tetovës do të themelojë edhe një ndërmarrje që do të menaxhojë me gazifikimin në qytetin e Tetovës.

“Punët i kryen kompania që ka fituar tenderin nga Drejtoria për menaxhim me resurset energjetike, ndërsa komuna në këtë rast do të duhet vetëm të ofrojë kuadrot e veta ku do të themelohet vetëm një ndërmarrje publike që do të jetë enkas për gazifikim. Çdo qytet do të ketë ndërmarrjen e vet për gazifikim dhe do të jetë një ndërmarrje qendrore që do të menaxhojë me të gjitha ndërmarrjet publike, pra ashtu siç e ka Qyteti i Shkupit ngrohtoren që kujdeset për këtë çështje”, deklaroi për Koha, Fazliu.

Sipas informacioneve, deri në muajin mars është realizuar vetëm 17 për qind nga procesi i gazifikimit, në shtrirje prej Shkupit e deri në Gostivar. Rruga nacionale e gazsjellësit do të përfundojë në hyrjen e komunave, që më pas Qeveria lokale ta dërgojë deri tek amvisëritë, nëpërmjet vetë-investimit, partneritetit publiko-privat ose ndonjë kompani private, e cila do ta ndërtojë rrjetin deri në shtëpitë e qytetarëve.

Përndryshe, Komuna e Tetovës gjatë vitit 2016 ka ndarë rreth gjashtë milionë denarë për një studim fizibiliteti mbi gazifikimin e Tetovës. Sipas informacioneve, fillimisht planifikohet gazifikimi i shkollave dhe institucioneve tjera publike dhe më pas edhe i gjithë qyteti, përfshi për amvisëritë për ngrohje. Sipas të dhënave, faza e parë e projektit përfshin gazifikimin deri në Tetovë dhe Gostivar, kurse gjatësia arrin 76 km.

Ndërkaq, Qeveria ka siguruar 90 milionë euro për instalimin e plot 204 kilometra rrjet gazsjellës. Sipas ekspertëve, nevoja është imanente për sjelljen e gazifikimit në Pollog. Sipas tyre, ajo që është e rëndësishme dhe më e kushtueshme është shpërndarja, gjegjësisht rrjeti shpërndarës i gazifikimit deri tek arteriet kryesore dhe mandej kyçjet e familjeve individuale dhe kapaciteteve industriale.

Marketing