Torino i jep fund pritjes “së shekullit” për atë që konsiderohet prej ditësh nga mediet sportive si “goditja e shekullit”.
Me përjashtim të ndonjë ndryshimi programacioni të minutës së fundit, gjë që duhet pasur parasysh për shkak të madhështisë së personazhit, Cristiano Ronaldo do të zbarkojë mëngjesin e së hënës në tokën torineze, me destinacion Juventusin.
“Ronaldo Day” pritet të jetë njësoj si të ishte një ditë zbarkimi në hënë.
Mes tifozëve ka një ankth të pazakontë dhe ngazëllim në të njëjtën kohë, për atë që do të mbetet e shkruar në librat e historisë.
Gjithsesi do të jetë e vështirë të shohësh nga shumë pranë se nga ç’lëndë përbëhet “marsiani” në fjalë, i cili si gjithmonë do të jetë i blinduar nga minuta e parë e deri tek e fundit e ceremonive. I vetmi rast kur do të mund të vihej përballë adhuruesve të tij, ishte festa e programuar në “Allianz Stadium”, nga e cila Juventusi hoqi dorë.
Dita në vijim do të jetë normale, si çdo ditë tjetër që i rezervohet një të sapoardhuri në klub. Duke nisur nga vizitat mjekësore, te konferenca për shtyp, e prezantimi pa shumë ekzagjerime. Megjithatë, në realitet, pritja për Cristianon do të ngjajë me pritjen e një kryetari shteti, duke parë planin e përpiktë të policisë, që kanë bërë përgatitjet prej disa ditësh. Dhjetëra agjentë do të vendosen nga aeroporti deri në ambientet e klubit.