Para dy ditëve bashkë me familjen kishte marrë rrugën nga Austria për në Kosovë. Por me të ardhur në vendlindje, 27-vjeçari, Arlind Dudi, ia mori jetën vetës.
Familja thonë se janë të shokuar nga ky rast dhe se nuk i dinë motivet e kësaj ngjarje. Tregojnë se i biri muaj më parë kishte qenë duke përdor terapi kundër depresionit. Babi i të ndjerit, Agimi ka dhënë detaje nga kjo ngjarje e rëndë. Këtë rast policia e Kosovës po e konsideron si ‘vdekje e dyshimtë’.
Arlindi, 27- vjeçar kishte vite që jetonte ne Austri me familje. Por, para dy ditëve ai bashkë me prindërit, morri rrugë nga Austria për në Kosovë ku kishin vendosur që t’i kalonin pushimet e verës. Por pushimet e familjes Dudi nga fshati Llaushë i komunës së Podujevës nuk zgjatën shumë. Pushimi, kësaj familje, iu kthye në tragjedi. Djali i madh, Arlindi, e mbyti vetën në oborrin e shtëpisë në vendlindje.
Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Babai i Arlindit të ndjerë, Agimi, ka dhënë detaje të dhimbshme për këtë rast.
Ai shpjegon se si ndodhi e gjithë ngjarja.
“Na gjithë ditë dje kemi qëndruar këtu me Arlindin. Ne si gurbetqar që jemi u mundojsha me i tregu pak për qytetin edhe vendin këtu me e njoftu me njerëz. Si ndodhi, nuk e dimë as ne, është e papritur e pabesueshme”, rrëfen babi i të ndjerit.
Agimi tregon se i biri i tij ditëve të fundit ka qenë pak i mbyllur. Por thotë se asnjëherë nuk kanë besuar që Arlindi do ta kryente një veprim të tillë.
“Ditëve të fundit ka qenë disi si i mbyllët. Por për këtë rast nuk ka qenë. Nuk e kam besu që kështu bën. I thosha Arlind për çdo problem flit me babin, sepse ka zgjidhje. Nuk kam mujtë me vërejte që shkon në atë ekstrem. Ne para dy ditëve nga Austria kemi ardhur për në Kosovë”, thotë prindi i tashmë të ndjerit.
Ai tutje rrëfen se gjatë gjithë ditës së djeshme deri në orët e pasdites kanë qenë duke shëtitur në qytetin e Podujevës bashkë me të birin.
“Pardje ne kemi ardhë në Kosovë. Unë e Arlindi dje gjatë gjithë ditës jemi shëtitur në qytet bashkë me nipa”, thotë Agimi.
Babi i Arlindin shpjegon momentin kur e pa në tokë pa shenja jete të birin e tij 27-vjecar.
“Në momentin kur ndodhi akti, ne ishim në dhomë me motra duke bisedua. Arlindi në korridor e pash po sillet, por me vërejte diçka te ai shqetësuese as që e kam menduar. Veç kur e kemi dëgjuar një armë. Kur dolëm e pamë aj veç kish qenë shtritë. Nuk di as vet qysh e ka gjetur armën a ku e ka marrë”.
Por nga familja e të ndjerit i japin edhe disa detaje për 27-vjeçin i cili dje me armë zjarri i mori jetën vetës në oborrin e shtëpisë në Llaushë të Podujevës.
“Djali ka qenë pak depresiv. Që 5-6 muaj ka qenë duke përdorë terapi kundër depresionit. Ka qëndru në spital atje dy herë ka tri javë. Vetëm dy minuta mu largua nga sytë djali dhe ndodhi kjo”, thotë prindi i të njërit.
Trupit të pa jetë të Arlind çudit i është bërë obduksioni. Ai do të varroset sot në ora 19:00 në varrezat e fshatit Llaushë.
Ndërkohë policia rajonale në Podujevë këtë rast po e cilëson si vdekje të dyshimtë. Komandanti i stacionit të policisë në Podujeve, Bekim Bislimi sqaroi se se po i vazhdojnë hetimet për këtë rast.
“Mbrëmë rreth orës 18:00 informatën për një incident në fshatin Llaushë, respektivisht për të shtëna me armë. Me të arritur në vendin e ngjarjes kemi konstatu që kemi të bëjmë me një viktimë. Ka ardh emergjenca, është trajtuar viktima, mirëpo si rezultat i të shtënave me armë viktima ka ndërruar jetë. Prokurori këtë rast e ka konstatuar si ‘vdekje të dyshimtë’”, thonë nga Policia.