Për aspektet juridike të Marrëveshjes së Prespës, sfondi historik dhe juridik, për implementimin, emrin, përdorimin, gjuhën dhe për shtetësinë, do të diskutojnë profesorë të drejtësisë, historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare nga Fakultetet e Athinës dhe Selanikut në konferencën e organizuar nga këshilli shkencor i MPJ-së greke.
“Qëllimi i konferencës është që të ketë debat shkencor global, të matur dhe të frytshëm lidhur me të gjitha çështjet juridike që dalin nga kjo marrëveshje historike për zgjidhjen e kontestit me IRJM-në. Diskutimi do të ketë 4 sesione dhe pritet të kontribuojë në sqarimin e koncepteve kritike dhe termeve juridike, me qëllim të plotësisht të informohet opinioni”, kumtojnë nga MPJ-ja greke.
Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, diskutimi do të mbahet sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, është paraparë të zgjasë 7 orë, ndërsa do të përfundojë sonte, me fjalimin e shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias, i cili do të flasë në temën “Vlerësimi i Marrëveshjes së Prespës dhe implementimi strategjik”.