Maqedonia do të vendosë kundërmasa nëse Kosova nuk e tërheq vendimin

Maqedonia edhe zyrtarisht, me shkresë deri te CEFTA, BE-ja dhe Qeveria e Kosovës, kërkoi tërheqje të vendimit kohor për rritje të doganave për pemët dhe perimet e importuara. Nëse Kosova nuk e tërheq vendimin, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të ndërmarrë masa për mbrojtje të prodhimtarisë vendore, kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).

Marketing

Sipas MBPEU-së, qeveritë e Maqedonisë dhe Kosovës negociojnë për gjetjen e zgjidhjes për doganat e rritura. Ministri i Bujqësisë Lupço Nikollovski së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi javën e ardhshme do të mbajnë takim me ministrat resor kosovarë, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov i cili sot do të takohet me kreun shtetëror të Kosovës, mes tjerash, do të bisedojë edhe për vendimin për rritje të doganave.

“Qeveritë e Maqedonisë dhe Kosovës prej dje janë në komunikim të vazhdueshëm për gjetjen e zgjidhjes adekuate. Në drejtim të zgjidhjes së problemit, ministri Nikollovski është në komunikim të përhershëm edhe me ministrat resor nga rajoni. Ata javën e ardhshme në takim të përbashkët do të bisedojnë për gjetjen e modelit për tejkalimin e problemit”, informojnë nga MBPEU.

Masa kohore zyrtarisht hyri në fuqi më 18 korrik dhe me të rriten për 30 për qind doganat për pemët dhe perimet e importuara. Masa do të zgjasë tre muaj dhe vlen për të gjitha shtetet të cilat eksportojnë në Kosovë. Sipas MBPEU-së, më i goditur nga ky vendim do të jetë eksporti i domateve, specave dhe kumbullave. Në këtë vendim nuk bën pjesë rrushi dhe prodhimet tjera strategjike.

Eksporti i tërësishëm i pemëve dhe perimeve nga Maqedonia dhe Kosova për periudhën janar-qershor të vitit 2018 është mbi 2,5 miliardë denarë. Import nga prodhimet bujqësore nuk ka.