Për inat, Beogradi autorizoi Vulinin të japë arsyetimet për refuzimin e Pacollit

Autoritetet serbe ia lanë Aleksander Vulinit ta kumtojë lajmin se Serbia ia ndalon hyrjen zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli. Në këtë mënyrë, Ministri serb i Mbrojtjes pati mundësinë që t’i ‘revanshohet’ autoriteteve kosovare që zakonisht nuk e lënë të hyjë në Kosovë, e të cilin në vitin 2012 edhe e kishin deportuar në Serbi pasi nuk pati respektuar agjendën e miratuar nga Kosova.

Marketing

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, i është ndaluar hyrja në Kosovë disa herë, për shkak të deklaratave e tij nacionaliste.

E, sot, Vulin ishte nga zyrtarët e parë të shtetit që foli për refuzimin e kërkesës së Pacollit që të hynte në Serbi, pasi boshnjakët e Sanxhakut e kishin ftuar për vizitë në Novi Pazar, shkruan Gazeta Express.

Vulin dha edhe arsyet e ndalesës së Pacollit. Tha se Serbia nuk e miratoi këtë kërkesë pasi e konsideron si të paligjshme vizitën e tij.

“Çdo përpjekje e tij për të ardhur në Novi Pazar do të ishte ilegale dhe dihet se si veprohet me ata që përpiqen ilegalisht të hyjnë në territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, ka Vulin.

Hera e fundit kur Ministri serb i Mbrojtjes u ndalua në Kosovë ishte në qershor për manifestimin serb të Vidovdanit.

Edhe kur u arrestua drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, në mars të këtij viti në veri të Mitrovicës, Vulin bënte pjesë në grupin e zyrtarëve të lartë serbë që nuk kishin leje të hynin në Kosovë për shkak të deklaratave nacionaliste.

Në shtator të vitit 2012, Policia e Kosovës kishte deportuar Vulinin në Serbi përmes pikës kufitare në Merdare, pasi ai nuk i ishte përmbajtur agjendës të cilën ia kishin miratuar organet kosovare.

Ndryshe ministri i Jashtëm i Kosovës u ftua nga kryetari i Këshillit të Sanxhakut, Sylejman Oglanin, për një vizitë zyrtare dy ditore në Novi Pazar, ku do të realizonte takime me boshnjakët e Serbisë.

Refuzimi i vizitës së tij nga autoritetet serbe ndodhi të shtunën vetëm pak orë para se Pacollit të nisej për në Serbi.