Mërgimtarët gjallërojnë jetën kulturore

Pjesa më e madhe e komunave të Pollogut këtë verë organizojnë manifestime të ndryshme me rastin e kthimit në vendlindje të mërgimtarëve. Manifestime këtë vit organizohen në Komunën e Bogovinës, në Gostivar, në Zhelinë, Tetovë dhe Tearcë. Kësisoj, të mërkurën mbrëma kanë filluar manifestimet në fshatin Dobrosht të Komunës së Tearcës, ku mbahet tradicionalisht manifestimi i Festës së Verës dhe ku tradicionalisht organizohet turne në futboll të vogël dhe koncert me këngë folklorike, parakalimi me veshje tradicionale i të rinjve, si dhe aktivitete tjera kulturore dhe artistike.

Marketing

Më 23 korrik, për herë të parë edhe në Sllatinë, do të mbahen evenimente të shumta me rastin e kthimit të mërgimtarëve. “Janë paraparë homazhe për tek varrezat e dëshmorëve, më pas është hapja e ekspozitës së piktorëve nga ky fshat. Manifestimi pason me turneun në futboll nga grupmoshat e reja dhe turneut në shah. Më pas manifestimet vazhdojnë dhe në ditëve në vijim janë paraparë gara në ‘motocros’, ndërsa më pas nata e tretë është paraparë darka solemne me ushqime tradicionale si dhe programi artistik me koncert me këngë, valle dhe interpretime dramatike” njoftuan nga Këshilli organizativ. Në ndërkohë, poashtu të mërkurën, Komuna e Zhelinës me shumë aktivitete kulturore dhe artistike ka mirëpritur kthimin e mërgimtarëve në vendlindje. Me këtë rast është organizuar panairi i trashëgimisë kulturore, video promovuese e Festivalit “Atdheu duhej me shumë dikur”, pjesëmarrja e SHKA “Rinia” – Zhelinë, SHKA “Tingujt e vendlindjes” – Kaçanik, dhe artistë të tjerë nga kjo komunë. Programi i Festivalit është hapur me Panairin e madh të trashëgimisë me materiale e vlera burimore, ku do të marrin pjesë të gjitha fshatrat e Komunës së Zhelinës. Në kuadër të programit do të organizohen takime me intelektualët dhe mërgimtarët, koncerte të ndryshme të Shoqatave kulturore artistike, maratona e leximit, ekspozita me fotografi artistike të fshatrave të Komunës dhe aktivitete të tjera të përfshira nga fusha e artit, kulturës, sportit dhe lojërave popullore.

Festivali i trashëgimisë kulturore vazhdon edhe me aktivitete tjera dhe zgjat deri më 22 korrik. Festivalin e organizon Komuna e Zhelinës në bashkëpunim me Shoqatën për Arsim dhe Kulturë “Adrion”. Ditë më parë, filluan manifestimet edhe në Komunën e Bogovinës ku janë paraparë një sërë aktivitete kulturore. “Më 21-22 korrik do të organizohet Marshi 2018, ku do të ketë ecje malore deri te Liqeni i Bogovinës dhe kamping te Dukati i Novosellës. Me 21 korrik në ora 20:00, për të gjithë banorët e Komunës së Bogovinës organizojmë koncert të muzikës moderne në oborrin e shkollës fillore ‘Abdyl Frashëri’ – Bogovinë. Me 24 korrik, në ora 21:00, në hollin e shkollës fillore ‘Abdyl Frashëri’- Bogovinë do të prezantohen filma të shkurtër të autorëve, të cilët edhe janë nga kjo komunë, pra dy filma të producentit dhe regjisorit Senad Abduli, si dhe të regjisorit Agim Abdulla.

Projektin ‘Komuna e Bogovinës Feston’ do ta përmbyllim me koncertin e muzikës popullore më 1 gusht në ora 20:00, i cili do të organizohet në vendbanimin Pallçisht”, njoftuan nga Komuna e Bogovinës. Në ndërkohë, në Tetovë tashmë është në rrjedhë e sipër manifestimi Vera e Kulturës Tetovare, kurse një sërë aktivitetesh organizohen edhe në Komunën e Gostivarit. Të gjitha këto manifestime tashmë kanë gjallëruar jetën nëpër komunat e Tetovës, ndërsa edhe shumë vendbanime të tjera janë në përgatitje e sipër të organizimit të manifestimeve të këtilla gjatë verës enkas për mërgimtarët. (koha.mk)