Në kuadër të Ndërmarrjes Publike Kumanovo Parking, me vendim të këshillit komunal të qytetit të Kumanovës, kësaj ndërmarrje i është obliguar që të kujdeset rreth ndriçimit publik të qytetit të Kumanovës me rrethinë.
Fadil Shabani, drejtor i “N.P. Kumanovo Parking”, për TVM2 thotë se kohëve të fundit janë bërë investime të mëdha në përmirësimin e ndriçimit publik, e sidomos në ato lagje ku më së shumti janë të banuara me popullatë shqiptare.
“Duke filluar nga pjesa qendrore e fshatit Sopot, ndriçimin e plot të fshatit Vujnovic, pastaj kemi vazhduar në qytet si në “Lagjen e Trimave”, “Lagjen Dardania”, kemi bërë rregullimin e plot të ndriçimit në parkun e vjetër të qytetit, kemi bërë vendosjen e shtyllave të reja me drita nga stacioni i autobusëve e deri te Xhamia e qytetit, kemi rregulluar komplet ndriçimin në fshatin Çerkez, në stacionin hekurudhorë si dhe në fshatin Rramanli, të gjitha këto zona të banuara me shqiptarë” – tha Drejtori i “N.P.Kumanovo Parking”, Fadil Shabani.
Fadil Shabani, apelon deri te të gjithë ata banorë të cilëve në lagjet e tyre u mungon apo kanë defekte, të mos hezitojnë por të njëjtit të lajmërojnë ato që me kohë të intervenohet.
“Nëse ka defekte në teren duhet të paraqiten tek ne ku kemi edhe numrin e telefonit i cili është kujdestar në shërbim të qytetarëve ai është 071 / 307 – 619, ky është numri në të cilin patjetër të lajmërohen ata qytetar të cilët kanë defekte në lagjet e tyre , përndryshe nëse nuk i paraqesin defektet ne nuk e dimë se ku duhet të intervenohet” – deklaroi Drejtori i “N.P. Kumanovo Parking”, Fadil Shabani.
Ndryshe sipas informacioneve të siguruara nga ekipi i TVM2, së shpejti do të merret iniciativë për rregullimin dhe ndërrimin e tërësishëm të ndriçimit në sheshin e qytetit të Kumanovës.