Liderët e katër partive më të mëdha, LSDM-së dhe BDI-së qeveritare dhe partive opozitare, VMRO-DPMNE-së dhe të njërit krah të Lëvizjes BESA sot sërish do të ulen në tryezë dhe do të përpiqen t’i largojnë dallimet dhe të arrijnë marrëveshje politike lidhur me referendumin vijues, datën, pyetjen e referendumit, karakterin e tij, zgjedhjen e KSHZ-së…
Bisedimet janë caktuar për në orën nëntë të mëngjesit në Klubin e deputetëve. Ky është takimi i tretë i liderëve, i pari u mbajt të mërkurën e kaluar me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, të cilat në Kuvend kanë më shumë se një deputet, të cilin e kundërshtoi lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, i cili e braktisi pas rreth një orë nga fillimi i tij dhe kërkoi përbërje më të ngushtë të takimit.
Të enjten e kaluar u mbajt takimi i dytë i liderëve, në format të shkurtuar. Pas takimit të enjten në Klubin e deputetëve liderët e LSDM-së, BDI-së, VMRO-DPMNE-së dhe njërit krah nga BESA, Zoran Zaev, Ali Ahmeti, Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami deklaruan se për disa nga çështjet për të cilat po bisedojnë ekzistojnë mundësi për përafrim të qëndrimeve, ndërsa për disa janë larg marrëveshjes.
Pushteti kërkon nga opozita mbështetje për referendumin vijues, opozita kërkon miratim të Ligjit për financim të partive politike, ndryshime në Ligjin për Qeverinë, sipas modelit të Përzhinës dhe ndryshime në Kodin Penal që lidhen me amnistinë.