Qeveria: Amnisti direkte dhe indirekte nuk do të ketë në asnjë rast

Amnisti direkte dhe indirekte nuk do të ketë në asnjë rast në Republikën e Maqedonisë për individë të përfshirë në procedura gjyqësore, kështu deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Marketing

“Unë do ta përsëris edhe një herë qëndrimin. Zyrtarisht bisedimet e liderëve kanë përfunduar. Informatat i dini, sepse i kanë treguar. Qeveria ka deklaruar, se për rastet që tashmë ka procedura gjyqësore, që lidhen me ‘bombat’ që dolën nga përgjimet ilegale nuk ekziston asnjë mundësi për amnisti, direkte apo indirekte”, tha Boshnjakovski.

Boshnjakovski deklaroi se proceset gjyqësore që lidhen me “bombat” janë disa nga rastet për të cilat është kërkuar amnisti nga VMRO-DPMNE-ja, megjithëse nuk u përgjigj në pyetjen: “Se a do të publikohen dëshmi nga kërkesa për amnisti?”.

Kërkesa për amnisti erdhi si përpjekje për kompromis nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE gjatë takimit të liderëve që u mbajt në lidhje me referendumin dhe nga i cili doli pakoja e ligjeve: ligji për financim të partive politike, ligji për zgjedhjen e përbërjes së Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe ligji për qeverinë ku hynë edhe qeveria teknike sipas marrëveshjes së Përzhinos. Seanca për miratim të kësaj pakoje ligjore është caktuar për të shtunën.

Marketing