Shpenzim Beadini: Arsyet pse Tetova duhet të jetë vatër e zhvillimit të turizmit

Rrëzë malit Sharr dhe bregores piktoreske të Balltepes (Kodrës së mjaltit), pranë brigjeve të lumit Shkumbim, shtrihet qyteti i Tetovës.

Marketing

Tetova ka kushte të shkëlqyeshme për zhvillimin e turizmit rural, kulturor dhe eko-turizmit. Peisazhet dhe objektet e vjetra janë vetëm një pjesë e vendeve ku mund të zhvillohen këto lloje të turizmit. Tetova ka potencial për zhvillim të turizmit alternativ, por ajo çfarë i mungon më shumë është promovimi i tij dhe investimet në infrastrukturë nga ana e kompetentëve në këtë rast qeverisjes së nivelit qendror dhe lokal. Turizmi në ekonominë e Komunës së Tetovës duhet të zë një vend të rëndësishëm. Vlerësoj se këto që do t’i cekim në vijim janë disa nga arsyet pse Tetova duhet të jetë vatër e zhvillimit turistik.

Kryesisht si vende dhe objekte turistike janë të njohura :

Qendra rekreative – turistike “Kodra e Diellit” në shpatiet e Sharrit që është e njohur për zhvillimin e sporteve mbi borë gjatë dimrit, sidomos të skijimit.

Teqeja “Arabati Baba”, është një kompleks, me arkitekturë madhështore dhe përbën një margaritar të arkitekturës shqiptare dhe ballkanike të ndërtimeve rreth 500 vjet më parë.

Në Tetovë kemi Kalanë e Tetovës, që ndodhet në maje të Balltepes, menjëherë mbi Tetovë. U ndërtua më 1820 nga Abdurahman Pasha. Ky objekt kulture paraqet një bukuri të rrallë të kohës së kaluar. Në brendinë e kalasë janë interesante pesë saraje, kuzhina e madhe, banjoja, pusi si dhe tri tunelet.

Objekt më me vlerë në qytet është edhe Xhamia e Larme që është xhami rreth 550 vjet e vjetër dhe me vizatime të bukura dhe mbresëlënëse.

Hamami (sot Galeria e Arteve Pamore) i qytetit të Tetovës, i ngritur në shekullin XVI, është i vendosur në bregun e lumit Shkumbim, përballë Xhamisë së Larme. Hamami i Tetovës është ndërtim klasik i arkitekturës orientale.

Muzeu i Universitetit të Tetovës, ndodhet në fshatin Poroj, në afërsi të qytetit të Tetovës i cili dokumenton historinë e kthjellët të themelimit të Universitetit të Tetovës në vitin 1994.

Nëpër fshatrat e malësisë së Tetovës gjenden shumë “shtëpi tradicionale” të cilat janë të mëdha dhe me dy nivele. Muret e tyre janë prej guri dhe të ndërlidhura me armaturë druri, ku pas të cilave fshihet një arkitekturë e jashtëzakonshme e asaj kohe.

Maja e Lubotenit, bjeshkë kjo me një panoramë grandioze, një endje për bletët ku edhe barinjtë vijnë aty për t’i kullotur delet – kopetë e tyre.

Leshnica, është një vend i lartë malor në masivin e Sharrit. Çdo vit, ka shëtitës të cilët ngjiten atje. Aty, buzë lumit Shkumbin mund të shkohet të kalohet dita, për të peshkuar trofta në përrua ose thjeshtë për një piknik të shoqëruar me një shëtitje nëpër rrethinë.

Maja e Kobilicës, është pika e vjetër e kalimit në mes qyteteve të Tetovës dhe Prizrenit në Kosovë. Nga maja, kemi mundësi të zbresim deri te fusha e barinjve, pastaj të vazhdojmë në luginën e vogël në pjesën e poshtme e cila të shpie-dërgon në fshatin Brodec në hijen e pyllit.

Liqeni i Zi, Liqeni i Bogovinës, Liqeni i Skakallës dhe Xholi pafund, janë disa nga liqenet të cilët bëjnë pjesë në Tetovë dhe të njëjtët japin mjaft për t’u vizituar nga turistët.

Gjithashtu në pjesën rurale dhe jo vetëm, gravitojnë restorante me gatime tradicionale nga kuzhina rajonale e Tetovës. Një nga karakteristikat e saj është përdorimi i prodhimeve të freskëta vendore. Tetova është e njohur në nivelin kombëtar dhe jo vetëm për “tafçe gravçen” – ushqim i përbërë nga fasulja e jashtëzakonshme e Tetovës, që përgatitet në furrë e vendosur në një enë prej balte (kjo jep emrin e ushqimit). “Sarma” (gjethe rrushi të mbushura me mish të bluar dhe oriz), apo byrek (me kripë me bazë djathi, mish të bluar, spinaq apo me kërpudha), “Pleskavica e Sharrit” (pleskavicë e mbushur me kashkavall), Ajvari etj.

Dëshira për t’u larguar nga industrializimi dhe tempoja e shpejtë e jetës bën që njerëzit gjithnjë e më shumë të zgjedhin turizmin alternativ si mënyrë pushimi në ditët e sotme. Kthimi kah natyra, prekja e traditës dhe rrënjëve tona janë kënaqësi që turisti bashkëkohor po i kërkon gjithnjë e më shpesh.

Nga Shpenzim Beadini

Marketing