Një pako në të cilën gjendeshin një revole e modelit ‘VZOR’ 7.65mm, 6 plumba, medikamente të ndryshme (trodon, tramadol, bensedin dhe disa ampula), si dhe një letër e shkruar në alfabetin cirilik, ka arritur para disa ditësh në adresë të Radomir Repanoviq, nga fshati Osojan i komunës së Istogut.
Pakon e kishte dërguar një postier nga veriu i Mitrovicës.
Në dokumentin të cilin e posedon Agjencia e Lajmeve KosovaPress, mësohet se letra është shkruar nga e ashtuquajtura ‘Ushtria popullore e Kosovës dhe Metohisë’, e cila ka për qëllim, siç thuhet, çlirimin e Kosovës dhe popullit serb.
Më tutje, në letër thuhet se Repanoviq është caktuar nga kjo ushtri të ndërmarrë aksione kundër popullatës serbe në Kosovë, në mënyrë që të sakrifikojë serbët e këtushëm karshi ndërkombëtarëve, si dhe më pas të thuhet se vrasjen e kanë bërë shqiptarët.
Sipas dokumentit, Repanoviq si shpërblim për punën e kryer do të marrë shumë të konsiderueshme të parave, ndërsa letra mban nënshkrimin e zëvendëskomandantit të kësaj ushtrie, Momir Radenekoviq.
KosovaPress-i ka dërguar disa pyetje rreth kësaj ngjarje në adresë të Policisë së Kosovës, por edhe pas pesë ditësh pritje, nuk ka marrë asnjë përgjigje.