Boshnjakovski: Vazhdon sistematizimi i administratorëve shqiptarë

Ende nuk ka përfunduar shpërndarja nëpër institucionet shtetërore e administratorëve të punësuar me Marrëveshjen e Ohrit.

Marketing

Qeveria thotë se 958 prej tyre po sistemohen në institucionet shtetërore. Aktualisht 50 administratorë janë dërguar në MPB, 26 në Prokurorinë Publike, 39 në DAP, 11 në Entin Shtetëror për Revizion,13 në Agjencionin për punësim dhe 20 në Ministrinë e Drejtësisë.

Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnajkovski, pranon se bëhet fjalë për procedurë komplekse, prandaj ende nuk ka një shifër të saktë se edhe sa prej tyre do të sistematizohen. Në procesin e sistemimit të tyre, Qeveria ka pasur kujdes për sistematizim sipas shkallës së arsimimit dhe aftësive që posedojnë.

“Po kujdesemi për aftësitë të cilat i posedojnë, shkallën e arsimimit dhe me këtë administrata publike dhe institucionet sigurisht do përfitojnë në cilësi. Bëhet fjalë për 945 persona por kemi paraqitje tabelare ku janë potencuar institucionet ku punojnë”, tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë.

Një problem tjetër për të cilin qeveria po punon në mënyrë intensive, është edhe zgjidhja e problemit për të punësuarit në firmat e falimentuara. Me ndryshimet ligjore do të sigurohen materialisht edhe 1600 persona të kësaj kategorie.

“Miratuam ligjin për zgjidhjen përfundimtare të problemeve që janë zvarritur me dekada për personat nga ndërmarrjet e falimentuara. Me vendimin e fundit, Qeveria do mundësojë sigurim shtesë të 1600 personave të papunësuar në kësaj kategorie. Ata me dekada kanë probleme të socializohen pas asaj që u ndodhi në të kaluarën”, tha Boshnjakovski.

Janë gjithsej 7840 persona nga ndërmarrjet e falimentuara, që presin zgjidhje pas ndryshimeve të tilla ligjore.

Marketing