Thaçi: Kosova e përkushtuar për të ruajtur qetësinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje historike ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marketing

Në komunikatën e Presidencës thuhet se “Republika e Kosovës do t’i përmbahet në përpikëri zotimeve për ruajtjen e qetësisë dhe mosrrezikimin në asnjë mënyrë të objektivave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

“Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, “që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, vazhdon komunikata.