Ministria e Bujqësisë pret së shpejti të fillojë me kompensimin e dëmeve nga vërshimet e vitit 2015 dhe 2016. Procesi ende është nën bllokadë, por dekreti kontestues është shfuqizuar.
Lëndët janë në Komisionin kompetent qeveritar, ndërsa është përgatitur edhe informacion që duhet të kalojë në seancë të Qeverisë. Pastaj vijon edhe pagesa e mjeteve, ka paralajmëruar sot shefi i Kabinetit të ministrit të Bujqësisë, Trajan Dimkovski.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Dimkovski tha se për kompensimin e dëmeve për bujqit nga fatkeqësitë e motit në vitin 2018 ende nuk ka numër konkret pasi vlerësimi është në vijim e sipër.
“Për vitin 2017 shuma që duhet të paguhet është rreth katër milionë euro. Sipas Agjencisë pagesore, pjesa e Resnjës është mbuluar tërësisht. Dëmet tjera paguhen, por sa saktë nga katër milionë janë paguar për momentin nuk mund të them. Për sipërfaqet bujqësore nuk është bërë asgjë në vitin 2016.
Procedura është ngatërruar për shkak të dekretit famoz që e bllokon krejt procesin. Kërkesat kanë arrit deri në Komisionin qeveritar për dëme, duhet të dërgohen në Ministrinë e Bujqësisë. Gjatë kohë tentojmë të zhbllokojmë procesin”, ka thënë Dimkovski.
Lidhur me sigurimin e sipërfaqeve bujqësore, ai ka potencuar se trendi i zvogëlimit vazhdon. Sipas tij, madje në vitin 2015 ka pasur 5 mijë polisa, ndërsa vjet vetëm 2 mijë.